Berisha në Vlorë: Misioni ynë, fitore me 14 maj dhe përmbysja e monizmit!

Kreu i grupimit Rithemeli në PD Sali Berisha e ka konsideruar fitoren e opozitës dhe përmbysjen sipas tij “të monizmit në Shqipëri”, si një mision në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Duke folur në Vlorë me shtabin elektoral të kandidatit Hysn Sharra, zoti Berisha i cilësoi zgjedhjet si një betejë jashtëzakonisht të rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë.
“Është jashtë çdo lloj dyshimi që këto zgjedhje, pas zgjedhjeve të 1992, janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, sepse këto zgjedhje bëhen në kushte të plota monizmi, por edhe në kushte që opozita nuk i ka përjetuar ndonjëherë që nga themelimi i saj, gjer sot” tha zoti Berisha.
Kreu i Rithemelimit në PD tha se “Ne jemi sot më të fuqishëm se asnjëherë tjetër si opozitë dhe më të vendosur për të përmbushur misionin tonë, fitoren me datën 14 maj, dhe në mënyrë të pashmangshme përmbysjen e këtij monizmi”.
Zoti Berisha bëri thirrje për mobilizim e angazhim për të bashkuar sa më shumë njerëz të të gjitha shtresave, që nuk pajtohen kurrë me këtë shkretim të Shqipërisë dhe Vlorës.
Ai bëri thirrje për trajtimin me kompetencë dhe vërtetësi të problemeve që ka Vlora si dhe paraqitjen para qytetarëve të saj të zgjidhjeve më të mira të cilat janë plotësisht të mundshme.
Duke kujtuar se PD është një parti konservatore, parti e vlerave tradicionale, e taksave të ulëta, parti e familjes dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, zoti Berisha tha se “PD-ja do të ketë një program që se ka pasur kurrë më parë për konsolidimin e familjes shqiptare, mbrojtjen e saj”. “Do të bëjmë gjithçka për iniciativën e lirë, duke çliruar çdo barrë fiskale… dhe ti japim një kthesë të madhe vendit” tha ai.
“Ky vend nuk ka asnjë motiv për t’u braktisur… ne nuk kemi vetëm zgjedhje, siç ka një forcë tjetër politike, por ne kemi një mision në këto zgjedhje për të çliruar vendin nga ky monizëm”, ishte lajtmotivi i zotit Berisha në Vlorë.
/ rtsh.al /