E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama si Enveri

Kryeministri Sali Berisha i ka zhvendosur në Vlorë takimet e tij. Në një konferencë për shtyp, në një nga lokalet e bregdetit të Vlorës ai nuk ka kursyer akuzat për kreun e opozitës.

Dokumentarin prezantues së kreut të PS-së, Berisha e ka krahasuar me librin "Kujtimet e Vegjëlisë" së diktatorit Enver Hoxha.

“Vlora e di mirë historinë e dajave të tij. Rama prezantoi në Vlorë fëmijërinë e tij dhe i ofendoi vlonjatët se janë të izoluar. "Si janë të izoluar vlonjatët kur ata udhëtojnë në rrugë moderne. Ata që e ndjejnë veten të izoluar të mos e votojnë Sali Berishën. Mund të thuash që ka njerëz të varfër, por jo që janë të izoluar. Vlora nuk ka nevojë për kujtimet e Ramës ", tha Berisha.

I pyetur për numrin e mandateve që pret të fitojë në Vlorë, Berisha u shpreh se kjo i takon qytetarëve ta vendosin. Kryeministri nuk nguroi të ironizojë aleancën Rama-Meta përsa i përket premtimeve të tyre për integrimin.

“Numrin e mandateve që merr një forcë e përcaktojnë qytetarët. Për këtë qytet që në shekuj ka qenë një kryeurë e kombit me perëndimin, them se asnjë gjë nuk është më jetike se integrimi në Europë. Pavarësisht për kë ka votuar Vlora, çdo vlonjat që u beson të vërtetave e di se PD është ajo që këto 20 vite ka firmosur çdo akt madhor të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe Europë. Tu besosh këtyre ëndrrën e integrimit është njësoj si të shkosh në shkretëtirë dhe të kërkosh eskimezë, atje nuk ka. Ndaj i them qytetarëve të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Berisha.

Më tej Berisha e cilësoi problematike për të majtën kandidaturën e Koço Kokëdhimës në Vlorë. “Në Vlorë e solli Koço Kokëdhima, i cili e nisi biznesin si asistent i Hajdin Sejdisë. Shkoni në Himarë, do shikoni pallate që kanë zhdukur detin. Këto pallate janë të Koços, i cili ka përfituar tendera nga bashkia e Tiranës kur Rama drejtonte kryeqytetin”, shtoi ai./BW/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›