E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Rama të lërë garën me Lakrorin e të sjellë PS në Kuvend

 

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama të tërhiqet nga vendimi për të bojkotuar parlamentin dhe të lërë deputetët të rikthehen në institucione. Deklaratën kreu i ekzekutivit e ka bërë nga Fushë-Mamurrasi, ku ka përuruar një rrugë prej 9 km që lidh këtë zonë me fshatin Adriatik. Berisha ka ironizuar edhe procesin zgjedhor për kryetar të PS-së, duke i kërkuar Ramës të lërë duelin me kandidatin Maqo Lakrori. "Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, t'i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta lërë duetin me zotin Lakrori, apo 'dream team', siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në parlament, sepse ky është një vend normal, kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta anormalizonin. Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike", theksoi Berisha. Sipas tij, kjo periudhë do të jetë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi Bashkimi Evropian pritet t'i jap OK vazhdimit të procedurave për marrjen e statusit të vendit kandidat si dhe të vendosë mbi liberalizimin e vizave. "Është e pafalshme dhe jashtëzakonisht e rëndë që të përpiqesh t'i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi. Ky nuk është një proces i thjeshtë, një proces i parëndësishëm, por është jetik për të gjitha kombet e Evropës, edhe më jetik është për ne që kemi vuajtur më shumë se kombet e tjera dhe që tani jemi në prag të këtyre zhvillimeve", u shpreh më tej Berisha. "Ndaj edhe një herë e ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre", vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Në fund ai u kërkoi të gjithë kryetarëve të komunave që të paraqesin projekte për infrastrukturën e zonave të tyre pranë qeverisë, duke i garantuar ata se do t'i mbështesë, në mënyrë që brenda katër viteve të këtij mandati, rrugët të jenë të asfaltuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›