E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, zhbllokon tenderat, ishin ndërprerë që në korrik

 

ADI SHKEMBI

Këshilli i Ministrave i hap rrugë tenderit të 212 objekteve në të gjithë vendin. Shkak i bllokimit prej dy muajsh ishte bërë një defekt elektrik në serverin e ruajtjes së të dhënave. Në mbledhjen e fundit qeveria shqyrtoi një vendim të propozuar nga Ministri i Shtetit për Reformën dhe Marrëdhëniet me Kuvendin për lejimin e zhvillimit të procedurave të disa prokurimeve. "Këshilli i Ministrave vendosi lejimin e autoriteteve kontraktore, të përcaktuara në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të realizojnë brenda datës 30 nëntor 2009 procedurat e prokurimit, sipas objekteve të specifikuara në këtë aneks", thuhet në vendimin e paraqitur nga ministri Genc Pollo. Në fund të muajit korrik qeveria në detyrë mori një vendim për ndërprerjen e procedurave të tenderimit të objekteve duke filluar nga 3 gushti.
Prishja e serverit
Ky vendim i Qeverisë vjen pas bllokimit të tenderave në rrugë elektronike për shkak të një shkëputje të energjisë elektrike në 23 gusht, që çoi në dëmtimin e bazës së të dhënave. "Nga ky defekt ishte e pamundur të aksesohej qoftë edhe fizikisht database-t reale (hard disqet nuk mund të aksesoheshin pasi dilnin si të paformatuara). Duke qenë se platforma ishte e bazuar për teknologjinë e Microsoft, kërkuam ndihmë nga përfaqësuesit e Microsoft në Shqipëri dhe në bashkëpunim me specialistët e fushës u punua të aksesohej database fizikisht", thuhet në relacionin e këtij projektvendimi. Më tej, ministri Pollo bën të ditur se nga data 12 gusht deri në 22 gusht, në sistemin e prokurimit elektronik nuk ishte ruajtur asnjë informacion. E vetmja zgjidhje për të gjitha procedurat e prokurimit publik, të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, mbetej përsëritja e tyre. "Disa autoritete kontraktore, që i kanë fondet e prokurimit nga të ardhurat e veta, i kanë rishpallur përsëri procedurat e prokurimit, kurse ato autoritete kontraktore, të cilat fondet e prokurimit i kanë pasur të financuara nga buxheti i shtetit, për investime, nuk mund t'i rishpallin, pasi në zbatim të vendimit nr. 787, datë 22.07.2009 të Këshillit të Ministrave 'Për një përdorim me efektivitet të fondeve për investime', prokurimi i fondeve për investime duhej të përfundonte brenda datës 03.09.2009", thuhet më tej në relacion. Sipas vendimit të marrë gati një muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit, prokurimi i fondeve duhet të bëhet vetëm me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. "Gjithashtu, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet që çdo autoritet kontraktor t'i përfundojë procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe punë me fonde buxhetore, brenda datës 31.10.2009, përfshirë edhe lidhjen e kontratës. Nisur nga fakti se procedurat e prokurimit mund të zgjaten tej afatit 31.10.2009, me këtë projektvendim propozohet data 30.11.2009 si afat përfundimtar për lidhjen e kontratave për këto procedura", thekson ministri Pollo në vendimin e paraqitur në Këshillin e Ministrave. Në tabelën që shoqëron vendimin janë të përcaktuara 212 objekte për të cilat është duke u pritur nisja e procedurave të prokurimit nga Qeveria. Në vendimin e 22 korrikut, i cili anulonte të gjithë tenderat, arsyetohej mbledhja në nivel më të ulët se sa parashikimi i të ardhurave. "Nisur nga të dhënat paraprake të realizimit të të ardhurave për 6-mujorin e parë 2009 dhe të parashikimeve të përafërta për realizimin e pritshëm të tyre deri në fund të vitit, del e nevojshme kufizimi i menjëhershëm i shpenzimeve operative dhe kapitale", thuhet në relacionin e vendimit të 22 korrikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›