Berisha-Rama të shtunën në tryezën e Topit
09/02/2010 Presidenti i Republikës vendos datën e thirrjes së liderëve politike për konsultime
Vendimi u parapri nga konsultimet me ambasadorin e BE-së, KE-së dhe SHBA-së
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas disa konsultimeve paraprake me ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë vendosi që të thërrasë tryezën politike, për të diskutuar dhe zgjidhur krizën politike në të cilën është përfshirë politika shqiptare prej më shumë se 6 muajsh. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidentit, kjo tryezë do të zhvillohet ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në selinë e Presidentit. Në këtë mënyrë kreu i shtetit shqiptar do të ulë në një tryezë dy kundërshtarët politikë: kryetarin e PD-së, njëkohësisht Kryeministrin e vendit, Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama. “Presidenti i Republikës vendosi të thërrasë tryezën në vijim të takimeve me kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, thuhet në njoftimin zyrtar. Kreu i shtetit pritet t’i përqendrojë diskutimet e tij në dy sugjerimet kryesore të rezolutës: kthimi i opozitës në Parlament dhe ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet. Ndërsa numri një i shtetit shqiptar do të nisë bisedimet me dy krerët e partive kryesore në vend për të arritur në një zgjidhje për çështjet e panegociueshme mes palëve, asnjëra nga palët nuk është tërhequr nga kushtet e tyre. Përveç gatishmërisë së tij për të marrë pjesë në tryezën që ka thirrur Presidenti Topi, kreu i Qeverisë, Berisha, ka nënvizuar në deklaratat e tij pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Evropës për Shqipërisë se hapja e kutive nuk do të jetë një çështje e negociueshme. Nga ana tjetër, edhe kreu i selisë rozë Edi Rama, në daljet e tij publike gjithashtu nuk është tërhequr nga pozicioni i tij fillestar për hapjen e kutive, si kushtin kryesor për t’u ulur në tryezë me Berishën. Nëse nuk gjendet një e mesme e artë, ku palët të lëshojnë paksa nga pozicionet e tyre fillestare, atëherë mund të themi me bindje se tryeza politike do të rezultojë e dështuar. Presidenti Topi e paralajmëroi tryezën me dy liderët e PD-PS katër ditë më parë. Ai njoftoi përmes Drejtorisë së Informimit Publik të institucionit se do të kontaktojë me dy protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të diskutuat mbi temat që do të diskutohen me ndërhyrjen e tij. Lëvizjet më të fundit politike për vendosjen e Presidentit Topi si negociator të takimit mes dy liderëve u nxitën nga rekomandimet e ndërkombëtarëve. Fillimisht përmes një projekti dhe më pas një rezolute të miratuar nga Këshilli i Evropës, kreut të shtetit shqiptar iu la si detyrë të bënte rolin e negociatorit.
Intensifikon takimet me ndërkombëtarët
Presidenti pret ambasadorët Lohan, Uithers dhe Montobio
Vendimit të Presidentit Topi për të thirrur tryezën e dialogut mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës, Rama, i paraprinë takimet që kreu i shtetit zhvilloi dje në mesditë me ambasadorin e Spanjës, vend që kryeson presidencën e BE-së, Emanuel Montobio dhe përfaqësuesin e KE-së, Helmut Lohan. Rreth një orë më pas, me dyer të mbyllura, Presidenti zhvilloi një takim edhe me ambasadorin amerikan Xhon Uithers.
Takimet u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri. Në to u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator. Takimi Berisha-Rama do të zhvillohet në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar.
Delegacioni i KiE-së
Komiteti presidencial i Asamblesë, në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve, do të vizitojnë në muajin shkurt Shqipërinë për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik. Pjesë në delegacionin e organizmit ndërkombëtar do të jetë presidenti i Asamblesë Parlamentare Mevlyd Cavoshugu dhe sekretari i përgjithshëm, Thorbjorn Jagland.