Janar, rriten çmimet e ushqimeve
09/02/2010 INSTAT: Norma e inflacionit arrin në masën 3.6%
Në llogaritje nuk është përfshirë çmimi i energjisë
Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka sjellë shtrenjtimin e kostos së jetesës në vend. Dje Instituti i Statistikave ka prezantuar Indeksin e Çmimeve të Konsumit ku është konstatuar se gjatë muajit janar, niveli i inflacionit arriti në 3.6 për qind duke shënuar një rritje prej 1.5 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të paraqitura nga INSTAT-i, rritja e inflacionit është shkaktuar kryesisht nga shtrenjtimi i grupit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 1.3 për qind. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 8.2 për qind është konstatuar tek zarzavatet, çka ka sjellë rritje të shpenzimeve të buxheteve familjare në vend. Por përveç kësaj kategorie gjatë kësaj periudhe janë prekur nga rritja edhe çmimet e frutave, mishit dhe artikujve të tjerë ushqimorë. Me gjithë rritjen e çmimeve të raportuar dje nga Instituti i Statistikave, inflacioni mbetet brenda objektivit të vendosur nga Banka e Shqipërisë, edhe pse po i afrohet kufirit maksimal të parashikuar që është niveli 4 për qind, çka do të thotë se pavarësisht situatës financiare ekonomia shqiptare vazhdon të jetë nën kontroll. Ndërkohë në këtë llogaritje nuk është përfshirë rritja e çmimit të energjisë elektrike si dhe rritja e tarifave të shërbimeve shëndetësore, pasi sipas INSTAT-it këto llogaritje bëhen në muajin shkurt dhe qershor.
Karburantet me rritje
Pavarësisht situatës së rënduar që po kalojnë tregjet ndërkombëtare në Shqipëri, gjatë muajit janë çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave të bëra publike dje nga INSTAT-i, rezulton se çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë pësuar rritje. Gjatë muajit janar çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 për qind dhe ai i benzinës 0.6 për qind. Tregu i karburanteve në Shqipëri pavarësisht bursave ndërkombëtare ka vijuar me rritjet e njëpasnjëshme të çmimeve. Aktualisht një litër benzinë kushton 135 lekë, ndërsa nafta e llojit euro Diesel shitet me 133 lekë për litër.