E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës ka buxhet të varfër, mungon dixhitalizimi

09/02/2010  Zeneli: Infrastruktura e gjykatës dhe trajtimi i sekretareve shumë i varfër
TIRANË- Gjykata e Tiranës i jep shtetit mbi 10 herë më shumë se ç’merr. Kjo u theksua dje në analizën vjetore të punës së saj. Të pranishëm në këtë ditë kanë qenë nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, kryetari i Dhomës kombëtare të Avokatisë Maksim Haxhia. Në fjalën e tij të hapjes kryetari i gjykatës Artan Zeneli theksoi se gjykata e Tiranës është më e madhja në vend dhe me një volum tepër të madh pune. Ndërkohë që Zeneli vuri theksin kryesisht tek buxheti tepër i vogël për këtë gjykatë, buxhet që sipas tij nuk plotëson kushtet dhe kërkesat për një pagesë të mirë dhe infrastrukturë moderne. Artan Zeneli tha dje gjatë fjalës së tij se gjykata e Tiranës i jep shtetit 120 milionë lekë të reja në vit nga taksat që mbledh, ndërsa merr prej tij vetëm një buxhet vjetor që kap shifrën e 150 milionë lekëve të vjetra. “E pra, ju duhet ta kuptoni se në ç’gjendje është gjyqësori që në momentin kur kemi përpara këto shifra”, tha Zeneli. Ai tha gjithashtu se sekretaret janë të papaguara dhe për këtë pjesë të gjyqësorit nuk ka buxhet të përcaktuar. Sallat e munguara, numri tepër i madh i dosjeve, zvarritjet e proceseve gjyqësore si dhe puna jo e mirë e Prokurorisë kur është fjala për shuarjet e masave të sigurimit, janë disa nga pikat që shtroi dje Artan Zeneli. Sipas Zenelit, gjykata e Tiranës është larg atyre evropiane dhe modernizimi i saj si dhe dixhitalizimi duhet të kryhet sa më shpejt. Për vitin 2009, janë regjistruar në këtë gjykatë 28596 çështje civile dhe penale, janë përfunduar 22549 dhe mbartura për këtë vit 6047. Janë dhënë 565 masa arresti me burg, 16 me fat, 151 arrest shtëpie dhe 419 detyrim për paraqitje. Sipas statistikave, volumi i çështjeve për vitin 2009 ka qenë më i madh se sa i viteve të mëparshme. Vetëm çështje civile janë regjistruar 22505, penale 4470 ushtarake 214, masa sigurimi 1407. Në analizën e djeshme të gjykatës më të madhe në vend përshëndeti edhe ministri i Drejtësisë Bujar Nishani. Ai tha se gjyqësori do të ketë përparësi duke shtuar më tej se syri dhe vëmendja e të gjithë opinionit publik është pikërisht këtu. Sipas Nishanit, ndarja e gjykatës penale nga ajo civile, ndonëse solli diçka të re, nuk do të thotë se ka zbutur gjithë problematikën. Ai tha se për gjyqësorin duhen kushte normale pune, të cilat lidhen pikërisht me sistemimin e sallave të gjyqit dhe heqjen një herë e mirë të praktikës së zhvillimit të gjyqeve nëpër zyra.
Aktiviteti i gjykatës së Tiranës (2009)
Masa arresti
565 arrest me burg
16 me afat
151 arrest shtëpie
419 detyrim për paraqitje
Çështje të regjistruara 28596
Përfunduara 22549
Mbartura 6047
Çështje civile 225050
Penale 4470
Ushtarake 214
Masa sigurimi 1407
Beçaj: Kthimi i besimit te publiku
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, vuri theksin tek kthimi i besimit në publik. Ajo u shpreh se busulla e gjithë gjyqësorit është ligji dhe vetëm ligji. “Pikërisht, vazhdoi Beçaj, nëse gjyqtarët do të zbatojnë ligjin në çdo pikë të tij, edhe korrupsioni do të eliminohet dhe në këtë rast publiku do të ketë vëmendjen më të madhe tek e gjithë trupa gjyqësore. Ne nuk kemi sistem të korruptuar, por në gjyqësor ka individ të tillë. Çfarë duhet bërë për këtë? Unë them se rritja e përgjegjësisë do të jetë një trajtim shumë i mirë për korrupsionin”.
Haxhia: Rritje e taksave për paditë
Maksim Haxhia në analizën e djeshme duke pranuar disa gabime të avokatëve që kanë lidhje me zvarritjet e gjyqeve dhe mosparaqitjen në seanca gjyqësore, u mundua të bëjë një justifikim me ligj. “Unë mendoj se nga ana e gjyqtarëve po abuzohet me thënien “drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar”. Kjo thënie nuk ka lidhje fare me mohimin e drejtësisë, sipas Haxhisë. Një fakt tjetër i përmendur dje nga Maksim Haxhia ishte edhe kërkesa për rritjen e taksave që kanë lidhje me paditë e regjistruara në gjykatë.
Spahiu: Gjykata e Tiranës shumë e varfër
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se “Gjykata e Tiranës është më e varfra në Republikën e Shqipërisë për nga infrastruktura, kur ka arkëtuar fonde më shumë sesa çdo gjykatë tjetër nga taksat gjyqësore për shkak të volumit të çështjeve. Nevoja për një pagesë më të lartë, që gjyqtari të mos kërkojë, dhe as të mos japë idenë se kërkon forma sekondare shpërblimi. Nevoja për më shumë mbrojtje fizike të gjyqtarit, i cili gjykon veprimet kriminale të shtetasve të këtij vendi, por që jashtë marrëdhënies së tij të punës është gjithashtu i ekspozuar ndaj rrezikut kriminal”.
Nishani: Ndarja e gjykatave pozitive
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u shpreh dje në analizën vjetore se sytë dhe vëmendja e të gjithë publikut sado larg që të jetë ai janë të drejtuar tek pushteti gjyqësor e veçanërisht tek gjykatat. “Ne kemi arritur të bëjmë ndarjen e gjykatës penale nga ajo civile. Edhe pse është një veprim i mirë, një gjë e tillë nuk duket se ka dhënë impaktet pozitive. Në gjykata mungojnë problemet që kanë të bëjnë me infrastrukturën. Mungojnë sallat e gjyqit si dhe materialet bazë. Një fakt është edhe dixhitalizimi i gjyqësorit”,- tha Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›