E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama të tjerrë ëndrrën kryeministrore në autobusin mavi, me fatorino Ben Blushin

13-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron në Shkodër rikonstruksionin e rrugës Ura Gjadër – Mnelë, si dhe rikonstruksionin e rrugës Koterr-Manastiri i Karmelitaneve, komuna Hajmel. “Banorët e zonave të përmbytura do të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit”

Kryeministri Sali Berisha, në vijim të turit të inaugurimeve të veprave publike, u ndal dje në Shkodër. Kreu i qeverisë mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të  rrugës Koterr- Manastiri i Karmelitaneve, komuna Hajmel, investim me vlerë 79 milion lekë, dhe me gjatësi  4.15 km e gjerësi 4 m. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë mbi 4 mijë banorë të 4 fshatrave  të komunave Hajmel dhe Dajç në zonën e Zadrimës. Rruga Kotërr – Manastiri i lidh jo vetëm dy zonat me njëra-tjetrën, por dhe me rrugën Lezhë – Vau i Dejës. Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga e re është e pajisur me të gjithë elementet nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale e kanalizimet e ujërave të bardha. Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare për kalimin e këmbësorëve. Afërsia me rrugën nacionale Lezhë – Shkodër, u krijon mundësi banorëve të zonës të lidhen me Shkodrën dhe Lezhën. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone. Rruga e re kalon pranë Manastirit të Karmelitaneve, një objekt i rëndësishëm kulti në zonë i cili frekuentohet jo vetëm nga besimtarët e zonës por edhe më gjërë”. Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore, vreshtarinë, ullishtet, prodhimin e verës dhe vajit, por edhe mbarështimin e derrave dhe gjelave te detit. Infrastruktura rrugore e përmirësuar nxit zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillimin social – ekonomik të qëndrueshëm. Ajo sjell lehtësi të mëdha për transportin e prodhimeve drejt tregjeve të Lezhës dhe Shkodrës. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që ishte ftuar për inaugurimin e kësaj rruge, e cila lidh komunat dhe që ju shërben banorëve për tu lidhur me aksin kryesor që shkon drejt Shkodrës dhe drejt Lezhës, e cila shumëfishon potencialet e zhvillimit në fshat dhe në komunë. Kryeministri Berisha premtoi se investimet në këtë zonë në katër vitet që vijën do të shtohen duke e bërë jetën e banorëve edhe më të lehtë. Kryeministri u përcolli një mesazh qytetarëve dhe banorëve të zonave të përmbytura. Ai i falenderoi ata për durimin dhe mirëkuptimin dhe u shpreh se nuk do të ketë kurrë borxh, që nuk do t’ju kthehet atyre. “Unë kërkoj të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Nëse në qeveritë e mëparshme tetë vjet resht zonat u përmbytën disa herë dhe nuk u kthye një qindarkë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë përsa kohë të jemi ne në pushtet. Ka filluar shpërndarja dhe ju siguroj se ajo do të vazhdojë deri në qindarkën e fundit” - u shpreh kryeministri.
Berisha tha se Shqipëria është vendi i pasurive përrallore, por mungesa e zhvillimit, mungesa e infrastrukturës dhe shumë faktor të tjerë i kanë lënë shqiptarët më të varfrit e të varfërve. “Sot është kohë tjetër. Sot është koha e lirisë. Unë u ula këtu me fermerë, të cilët kishin krijuar vetë kooperativën e parë , kooperativën e fermerëve të lirë. Dhe nga ajo kishin parë fitime të mëdha. Unë erdha këtu dhe gjeta plantacione. Ajo që duhet dhe që ka nevojë që ato të shumëfishohen. Një gjë ju siguroj ju, se për këtë qeveri, për Partinë Demokratike, bujqësia përbën një çështje të dorës më të parë dhe pse kjo? Për dy arsye. Së pari është e faktuar nga studiuesit më të mëdhenj, nga institucionet më serioze të botës, se bujqësia është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin, dhe kjo do të thotë për ne, që mund të dhjetëfishojmë të ardhurat për ju dhe të keni më shumë të bëni një jetë më të mirë. Ndaj dhe ne po ndërtojmë rrugët dhe do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë aty ku ju të jeni. Po ndërtojmë ujësjellësa dhe ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni ujë 24 orë si lagjet e qytetit. Do të rindërtojmë rrjetin elektrik, në mënyrë që sipërmarrjet dhe familjet tuaja të furnizohen me energji  si lagjet e qytetit. Për ne aty ku jetojnë shqiptarët nuk duhet të ketë dallim në infrastrukturë”- u shpreh Berisha, duke premtuar se “katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë, ne kemi financuar 42 mijë fermerë”. “U gëzova shumë kur këtu në Hajmel me këto grante janë mbjellë, vreshta, ullishte, pemë të tjera rreth 200 hektarë dhe fermerët më thanë se jemi të kënaqur, kemi përfituar. Do të gëzoheni më shumë kur pas katër vitesh këtu në Hajmel të jenë financuar 600 hektarë”- tha ai. Afrimi i zgjedhjeve, theksoi kryeministri, i vendosin shqiptarët përballë dy alternativave; njëra është ajo e ndërtimit dhe zhvillimit të Shqipërisë; dhe tjetra ajo e bllokimit dhe mohimit. “Ne shkojmë drejt një date të rëndësishme për ju, drejt 23 qershorit. Keni dy alternativa. Alternativa jonë është alternativa e ndërtimit në Shqipëri me një infrastrukture moderne, është alternativa  e krijimit të vendeve të punës, është alternativa rritjes dhe begatimit të qytetarëve shqiptarë, alternativa e tërheqjes së investimeve dhe investitorëve, alternativa e shfrytëzimit të të gjitha potencialeve të mëdha të këtij vendi. Partia që ju keni mbështetur integroi vendin në Këshillin e Europës, partia që ju keni mbështetur integroi  vendin në NATO, partia që ju keni mbështetur firmosi marrëveshjen e stabilizim-associmit, partia që ju keni mbështetur ia doli të heqë vizat për shqiptarët, partia që ju keni mbështetur ia doli të marrë rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen tre ligjet. Askush nuk e pengoi ndonjëherë partinë tjetër, por partia tjetër, kundërshtoi çdo hap tonin drejt integrimit. Partia tjetër kur ne anëtarësoheshim në Këshillin e Europës, deklaronte se molla nuk është pjekur, partia tjetër kur ne do të firmosnim marrëveshjen e stabilizim-associmit frynte boritë dhe bilbilat, në aktin më të turpshëm në historinë e një parlamenti. Tre muaj rresht vetëm e vetëm që të mos firmosnim marrëveshjen. Partia tjetër kur ne do të merrnim ftesën në NATO, ju thoshte shqiptarëve se ftesa është anuluar dhe bënte mitingje në Tiranë me portretet e Enver Hoxhës. A mund të më pyesni ju sot, çdo socialist kudo që të jetë, a mund të imagjinonte njeri që në tetor të vitit 2012 të mos votonte tre ligjet për të marrë statusin dhe statusi nënkuptonte qindra milion euro më shumë investime, qindra milion euro rrugë më shumë, qindra ujësjellësa më shumë, dhjetëra mijëra vende pune. A mundet që një njeri normal të thoshte se nuk i votoj. Askush nuk e besonte, por ja që ndodhi dhe në mënyrën më cinike më të shpërlarë, aleanca e 1 prillit i përdori ato për pazare, por 23 qershori po vjen, është dita e gjykimit”- deklaroi ai. Shefi i qeverisë ironizoi kreun e PS-së Edi Rama duke theksuar ai thurr ëndrra në autobus për t’u bërë kryeministër. “Le ta lëmë zotin Rama në autobusin e tij mavi. Le ta lëmë atë kryeministër në autobusin e tij, me të cilin vetë është shofer dhe e dini ju kush ishte fatorino. Fatorino është Ben Blushi, i cili nxjerr tabelën kudo, mos i fol shoferit. Le të ecim ne drejt një fitore të shkëlqyer, drejt fitores së merituar”- përfundoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›