Berisha: Rama të vijë e të japë dorëheqjen para shqiptarëve për arratisjen e numrit 2 të qeverisë

Kreu i grupimit të Rithemelimit në PD-së, Sali Berisha, i kërkoi kryeministrit Edi Rama sqarojë shqiptarët për sipas tij “arratisjen e numrit 2 të qeverisë” Arben Ahmetaj dhe i kërkoi atij të japë dorëheqjen.
Duke folur në seancën parlamentare të së enjtes, zoti Berisha tha se “Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkakto tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia” tha ai. “Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen” këmbënguli zoti Berisha.
Deklarata e zotit Berisha erdhi pasi Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi insistoi në zhvillimin e interpelancës dhe mocionit lidhur me “Çështjen Ahmetaj”. Bardhi kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak të mungesës së kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se ky i fundit duhet të japë llogari, sipas tij, sa i përket aferës së inceneratorëve.
/ rtsh.al /