Berisha-Rama ulen te Topi, sytë katër drejt Presidencës

Kreu i shtetit, mbledhje maratonë me bashkëpunëtorët për protokollin e takimit
Hapet sot raundi i parë i tryezës së thirrur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mes Kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës. Në orën 11:00, në sallën e “krizave” të Presidentit nis akti i parë i “dramës” shqiptare, që ka zënë fill që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila solli si pasojë krizën politike dhe impenjimin e komunitetit ndërkombëtar më të madh që është bërë ndonjëherë që prej vitit 1997. Protagonisti i këtij takimi, kreu i shtetit shqiptar, prej ditësh qëndron në zyrën e tij me orë të tëra duke koordinuar me imtësi gjithçka në mënyrë që tryeza të jetë sa më e frytshme. Presidenti Topi bashkë me bashkëpunëtorët e tij edhe gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur një takim të fundit për tryezën dhe thelbi i strategjisë së organizatorit është saktësia, korrektësia dhe gjithçka të zhvillohet në mënyrë diskrete. Asnjë detaj nuk do të duhet të dalë nga selia e Presidencës. Duke qenë se përbën një takim të rëndësishëm, “sekreti” ka qenë edhe refreni i gjithë punës së vështirë që si synim ka daljen në fund të tryezës me një marrëveshje politike që do të firmoset nga Berisha dhe Rama. Por nga burime pranë selive të PD-së dhe PS-së, mësohet se Kryeministri dhe lideri i opozitës nuk do të jenë të vetëm në takimin e thirrur nga Presidenti, por të shoqëruar nga njerëzit e dytë të rëndësishëm në forcat politike respektive. Kështu, përkrah kreut të qeverisë do të jetë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ndërsa bashkë me liderin e opozitës, Edi Rama, do të jetë në tryezën e sotme kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. E gjithë seanca e bisedimeve të ditës së sotme do të zhvillohet pa praninë e mediave, të cilët mund të filmojnë apo fotografojnë vetëm çastet e para. Protokolli i takimit është organizuar në një mënyrë ku Berisha e Patozi të ulen në një anë të tryezës, Rama e Ruçi në anën tjetër dhe Presidenti Topi në krye të saj. Ky lloj protokolli konsiston në krijimin e kushteve për një takim serioz por jo shumëkonfidencial, nga ku mund të shmangen shtrëngimet e duarve nëse të pranishmit nuk dëshirojnë ta bëjnë. Por gjithsesi kjo mbetet pikë e nxehtë dhe do të lihet ndoshta pas mbylljes së raundit të parë të takimit, ku nëse dilet me ndonjë rezultat, padyshim që do të ketë edhe shtrëngime duarsh. Edhe pse palët nuk do të diskutojnë me një draft paraprak, si thelb i bisedimeve do të jetë zbatimi i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila është lexuar ndryshe nga të dyja forcat politike. Por kreu i shtetit ka zhvilluar bisedime paraprake me palët dhe ajo që do të diskutohet sot nuk është gjithçka spontane. Dje ka pasur një deklaratë të qartë nga Kryeministri Sali Berisha, i cili nga Italia tha: “Jam njeriu i lëshimeve dhe i kompromiseve”, ndërkohë që kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ka dhënë deklaratë publike mbrëmë në lidhje me çështjen e kutive, që mund të kishte acaruar gjakrat përpara takimit të sotëm. Kësaj fryme i ka shërbyer edhe seria e takimeve të tre ambasadorëve të rëndësishëm: Withers, Montobjo dhe Lohan me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Tryeza e sotme do të jetë e monitoruar në çdo hap të saj nga ambasadorët të cilët mund të ndërhyjnë nëse do të ketë çaste që rrezikojnë dështimin e saj.
#