E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet do të nisin në prill

Energjia

Gazsjellësi i detit Baltik merr aprovimin final nga Finlanda
Një kompani europiane e drejtuar nga “Gazprom” ka marrë dje edhe lejen e fundit, atë të ndikimit ndaj mjedisit, që i duhej për të ndërtuar një gazsjellës që kalon përmes detit Baltik dhe që do të lidhë fushat e gazit të Rusisë me Gjermaninë. Autoritetet finlandeze dje i kanë dhënë konsorciumit me bazë në Zvicër, “Nord Stream”, lejen e fundit, atë në lidhje me mjedisin, që ishte edhe pengesa e vetme për këtë vepër. Tashmë do të nisë menjëherë ndërtimi i gazsjellësit 1223 kilometra i gjatë përmes detit Baltik. Suedia, Danimarka, Gjermania dhe Rusia, vitin e fundit i dhanë kësaj ndërmarrjeje të përbashkët lejen e tyre për të kaluar në territoret e vendeve të sipërpërmendura, pasi ranë dakord edhe me planifikimin e mbrojtjes së ambientit të konceptuar nga kompania, e cila gjithashtu përfshin edhe heqjen e disa minave të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, që ndodhen në fund të shtratit të detit. Ndërtimi është përcaktuar për të nisur në prill të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në vitin 2011. Rrjedhja e parë e gazit nëpër këtë gazsjellës është parashikuar që të ndodhë në vitin e ardhshëm. Një tjetër gazsjellës do t’i bashkëngjitet të parit në vitin 2012, duke ia shtuar kapacitetin përcjellës në 55 miliardë metra kub gaz në vit. Përveç Gjermanisë, konsumatorët e tjerë më të rëndësishëm të këtij gazi do të jenë Holanda, Danimarka, Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe, të cilat gjithashtu do ta blenë gazin që do të transportohet përmes këtij gazsjellësi e që do të vijë drejtpërsëdrejti nga Rusia. “Projekti ynë ka bërë të mundur shtrirjen e bashkëpunimit me shumë vende europiane dhe do të jetë një kontribut i rëndësishëm në sektorin europian të energjisë”, ka bërë të ditur drejtori i kompanisë.
Por ndërkohë, vende të tjera të rajonit nuk janë kaq entuziaste në lidhje me këtë projekt të ri. Vendet baltike dhe Polonia e kanë kundërshtuar ashpër ndërtimin e këtij gazsjellësi, duke pretenduar se ai “do të minojë” sigurinë e tyre. Rreth 80% e importit të gazit nga Rusia aktualisht vjen përmes ish-vendeve komuniste si Ukraina, Polonia, Sllovakia dhe Republika çeke. Ky gazsjellës ka mbështetjen e Komisionit Europian. Për vendet e Europës Lindore, mbështetja e madhe e furnizimit me gaz nga Moska do të krijojë një varësi shumë të keqe dhe do t’i japë dorë të lirë Rusisë që të vazhdojë si edhe më parë ta përdorë gazin si një armë për të arritur synimet e saj, apo si një armë për të bërë shantazh.
Historia e këtij projekti ka zgjuar edhe disa ndjeshmëri që i përkisnin Luftës së Ftohtë në bllokun lindor ish-komunist. Nënshkrimin e parë për nisjen e punës për ndërtimin e këtij gazsjellësi e bëri ish-presidenti i Rusisë, me ish-kancelarin gjerman të kohës, Gerhard Shrëder, vetëm disa javë pasi Shrëder u largua nga detyra. Më pas Shrëder u rekrutua nga “Gazprom” për të menaxhuar bordin e gazsjellësit. Pikërisht Shrëder emëroi në krye të kësaj kompanie Earning, një ish-agjent të STASI-t, policisë sekrete gjermano-lindore. Putin, edhe pas ikjes nga presidenca, është marrë personalisht me çështjen e këtij gazsjellësi. Të premten, “Gazprom” dhe një bankë hungareze nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një kompanie, për të zhvilluar edhe pjesën hungareze të projektit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›