1600 mësues hiqen nga puna për motive politike
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, akuzon MASH-in. Ministri Tafaj: Kemi kapacitete të pashfrytëzuara
Rreth 1600 mësues largohen nga puna pas vendimit të qeverisë për të mos rinovuar kontratat e tyre. Por, drejtuesi i Konfederatës së Sindikatave Shqiptare, Kol Nikolla, akuzon drejtpërdrejt Ministrinë e Arsimit, se këto pushime nga puna po bëhen mbi bazë të motiveve politike dhe aspak të atyre profesionale.
“Ky është një largim selektiv”, është shprehur dje Nikolla, duke shtuar se largimet nga puna nuk po mbështeten mbi kritere profesionale. Ai tha se nga radhët e arsimit po largohen ata që mendojnë ndryshe, ose që ngrenë krye, si dhe anëtarë të Konfederatës. Sipas kreut të Konfederatës së Sindikatave, në këto largime nga puna janë marrë parasysh preferencat politike të drejtorëve të shkollave.
Menjëherë pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Ai është përpjekur të shpjegojë se këto largime lidhen me menaxhimin sa më të mirë të kapaciteteve dhe normave ligjore të ngarkesës mësimore të mësuesve.
“Në muajin janar, Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore në rrethe, bëri një studim të detajuar të respektimit të normave mësimore dhe rezultoi që kishte kapacitete të pashfrytëzuara”, u shpreh ministri Tafaj. Ai theksoi se kishte nëndrejtorë më shumë se sa norma. “Jo pak, tha Tafaj, ishin 400 nëndrejtorë në shkallë vendi, më shumë se sa parashikohet në aktet ligjore”. Ai shtoi se kishte shkolla shumë të vogla, me shumë mësues, kishte gjithashtu edhe shkolla ku mësuesit ishin me ngarkesën më të ulët se ajo që parashikohej.
Po sërish kjo logjikë nuk e ka bindur kreun e Konfederatës së Sindikatave. Ai u ka kujtuar qeveritarëve krizën që po kalon vendi dhe që asnjëri prej tyre nuk do ta pranojë publikisht. Nikolla është shprehur se këto shkurtime vijnë edhe si pasojë e fondeve të limituara të buxhetit të shtetit. Kjo pasi, siç theksoi ai, qeveria është në krizë, por nuk e pranon. “Ky është një element i hapur i krizës, që ka prekur jo vetëm sektorin privat, por edhe atë publik”, tha Nikolla.
Vetëm pak kohë më parë, pas një propozimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave vendosi që të mos rinovojë kontratat e punës së këtyre mësuesve. Ndërsa për një numër të kufizuar të punonjësve me kontratë në arsim, u lejua që të mbyllej viti shkollor, pra të punonin edhe gjatë semestrit të dytë.
#