E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: “Hiq syzet e etërve tuaj dhe shih Shqipërinë reale”

30-05-2013 / Gazeta 55

Inaugurohet fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj, në rrethin e Lushnjës. Rruga do të ketë një gjatësi 22 km dhe gjerësi 5,5 metra, do të ketë një vlerë investimi prej 1.1 miliard lekë. Ky segment rrugor i financuar nga BERZH-BEI_IPA dhe Qeveria shqiptare do të bëjë përfitues 22 mijë banorë të komunave Hysgjokaj, Golem, Ballagat, Rrasë, Shezë, Gjocaj. Ky segment rrugor është në vijim të disa investimeve në Qarqet Fier dhe  Elbasan të kryera nga FSHZH.  Ajo do të jetë e pajisur me trotuare në zonat e banuara, vepra arti, sinjalistikë rrugore horizontale e vertikale. Kjo rrugë së bashku me segmentet Belsh – Fierzë – Kosovë e vogël si dhe Mollas – Selite – Frashër; Gostime – Gjyrale – Belsh dhe Grekan – Deshiran – Vlashuk, do tu vije në ndihme fermerëve, të një prej zonave me prodhimtari më të lartë bujqësore dhe blegtorale ne vend. Komunat Hysgjokaj, Golem, Ballagat, Rrase, Sheze, Gjocaj  së bashku me fshatrat rreth tyre, njihen për  prodhimet e serave, por që sot arrijnë me vështirësi në tregjet rajonale të Lushnjës, Elbasanit dhe Beratit për shkak të gjendjes së rrugëve. Pas përfundimit të këtij segmenti, prodhimet e zonës jo vetëm që do të shkojnë më shpejt në këto tregje, por do të kenë mundësi për eksportin e tyre dhe në vendet e rajonit. Nga kjo qeveri në këtë zonë janë duke u bërë katër investime të rëndësishme për banorët e këtyre komunave. Po ndërtohet rruga  Lushnje-Hysgjokaj me vlere 615 milionë lekë. Po ndërtohet rruga Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj me vlerë 460 milion lekë. Rruga Hysgjokaj-Canakaj  me vlerë 50 milion lekë, si dhe rruga Canakaj –Ballagat me vlerë 58 milion lekë. Kryeministri Berisha ka vlerësuar investimin që qeveria po bën në këtë zonë dhe ka premtuar se në katër vitet që vijnë qeveria do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt për ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj zone. “Po shkojmë drejt zgjedhjeve. Në këto zgjedhje ju jeni para një zgjedhjeje të madhe. Do të zgjidhni ju të ecni për finalizimin e një infrastrukturë më moderne edhe unë besoj se rrugët e ndërtuara deri më tani janë rrugë që faktojnë se ne jemi të përkushtuar ndaj infrastrukturës suaj. Ne do të shkojmë  drejt finalizimit të ndërtimit dhe rindërtimit të çdo shkolle në Lushnje dhe në Shqipëri, ujësjellësve, kanalizimeve, vaditjes, do të shkojmë ne drejt integrimit të sigurt të Bashkimit Europian, marrjes së statusit, hapjes së negociatave, apo do të ndiqet platforma, akuzo- akuzo, moho- moho gjithçka, trillo-trillo çdo gjë”- theksoi kryeministri. Kreu i qeverisë iu referua edhe sulmeve të Edi Ramës lidhur me infrastrukturën rrugore, duke e ftuar atë të heqë syzet e etërve të tij dhe të shohë Shqipërinë reale. “Ju lutem ftojeni këtu shokun e autobusit. I thuaj, hiqi pak syzet e etërve tuaj, hidhi sytë vetëm në atë shpat të shohësh ti se ku janë Hysgjokajt, se kush janë gratë dhe burrat e kësaj komune, çfarë dinë të bëjnë ata. I thuaj se ato nuk i ka bërë Sali Berisha, i thuaj se ato shpate nuk i ka qëndisur Sali Berisha, ato sera në shpatin e Hysgjokajt nuk i ka ndërtuar Sali Berisha. Ato i kanë ndërtuar gratë dhe burrat e kësaj komune. Po, Sali Berisha dhe qeveria e tij ka bërë dhe po bën gjithçka që t’jua lehtësojë jetën atyre. Tu japë atyre shërbimet  dinjitoze që meritoni. Ndaj dhe të vazhdojmë së bashku për Hysgjokajn e zhvilluar, për Lushnjën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar për Shqipërinë Europiane”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›