E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama po “luan” për Berishën

30-05-2013 / Nga Xhevat Mustafa

Edi Rama ka luajtur keq për 3 vjet, me kokën e vet apo të këshilltarëve të dobët, edhe në lojën politike në parlament e jashtë tij, për miratimin e 3 ligjeve të përcaktuara si kusht për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE. Ai do t’i kishte dhënë pikë dhe avantazh PS-së, të vlefshme sidomos tani në fushatën elektorale dhe do të kishte shmangur penalizmin më 23 qershor, nëse do t’i kishte votuar këto 3 ligje.

Të kuptohemi mirë qysh në fillim, nuk është fjala që lideri i PS- së Edi Rama është i infiltruar, agjent apo gur shahu i liderit të PD-së, Sali Berisha. Ideja është që duke u mbështetur në disa fakte dhe duke i analizuar ato jepet arsye apo shkas të çohet ndërmend edhe ajo që për shumëkënd, sidomos nga anëtarësia dhe elektorati i majtë duket e pamundur, që lideri i tyre, duke luajtur keq, pa dashje çon ujë në mullirin e Berishës. Duke e respektuar opinionin e adhuruesve të Edi Ramës dhe të votuesve të “ekipit të tij kombëtar” se ai po luan mjeshtërisht dhe do të fitojë, mbështetur në disa fakte apo argumente, do t’u sugjeroja që të mos jenë 100% të sigurt për të dyja. Pra, që t’i bëjnë vetvetes edhe pyetjen: vërtetë ekipi ynë po luan  shkëlqyeshëm dhe Edi Rama po e tregon veten një kapiten i madh? 
Sipas këndvështrimit tim, gjykoj se loja e deritanishme e Edi Ramës lë hapësira për t’u diskutuar dhe për t’u vlerësuar jo si e pakritikueshme. E mira do të ishte që analizën objektive dhe kurajoze të saj ta bënin vetë lojtarët, specialistët dhe tifozët e këtij ekipi, duke mos u kompleksuar apo trembur nga emri, autoriteti dhe vështrimi i kryetarit apo kapitenit Edi Rama. Pra, duke guxuar për t’ia thënë në sy atij edhe disa vërejtje apo kritika, pa marrë parasysh se mund t’u kushtojë me flakje nga radhët e partisë dhe nga listat e saj.
Opinionin tim se Edi Rama po luan për Berishën do ta filloj me listën e kandidatëve. “Lista Edi Rama” është mbingarkuar me shokë, miq dhe  ortakë të tij, si Koço Kokëdhima, Dashamir Peza... apo me karta të djegura me kohë si Gramoz Ruci, Anastas Angjeli dhe spastruar nga personalitete elitare në aspektin intelektual dhe profesional si dhe  me angazhime e kontribute për PS-në, qysh nga krijimi i saj. Kujtdo i lind e drejta të shtrojë pyetjet: A e ka paramenduar dhe parallogaritur Edi Rama se duke i falur PD-së Kastriot Islamin, Asllan Dogjanin dhe Gjovalin Kadelin, PR-së Agron Dukën  si dhe duke e përjashtuar nga “ekipi kombëtar socialist” Arben Malajn, i ka djegur mijëra vota PS-së dhe koalicionit të së majtës dhe ia ka falur këto vota, po e vlerësojmë pa dashje, Berishës dhe koalicionit të së djathtës? A e ka menduar Edi Rama se këto vota të vetëhumbura apo të dhuruara më 24 qershor mund të jenë, në mos përcaktuese, me ndikim të ndjeshëm në rezultatin përfundimtar, siç ndodhi 2 vjet më parë me dhjetëra votat që e dogjën atë në Tiranë?
Le të vazhdojmë me listën e partive të koalicionit të së majtës. Vërtetë si numër partish koalicioni i së majtës është më i madh se ai i së djathtës. Por, nëse do të bëhet një peshim pa hile do të dalë se aktualisht partitë kryesore aleate të PD-së, si PDIU, PR, PDK e Nard Ndokës, PLL e Ekrem Spahiut, LZHK e Dashamir Shehit, PAA e Xhuvelit, peshojnë më shumë se ato kryesore të PS-së, sidomos për faktin se PD-ja i ka përfshirë në vende me shanse të sigurta fitoreje liderët e partive aleate. Ndërsa Edi Rama nuk e ka bërë të njëjtën gjë me liderët e partive aleate të tij. Ndoshta është ndikuar nga euforia e ardhjes në koalicionin e së majtës e LSI-së. Nuk mund të mohohet se është një lëvizje pozitive me ndikim në frontin e majtë, por edhe se është thikë me dy presa. Kjo mund të dale edhe një martesë me fund të dyshimtë, që mund të prishet për kolltukun e kryeministrit apo të një ministrie, në rast se ndodh që e majta të fitojë me diferencë të ngushtë dhe që Berisha t’i japë Ilir Metës përsëri më shumë kolltukë dhe përqindje pushteti se sa Rama. 
Edhe sipas z. Kastriot Islami, pa dyshim një specialist me përvojë të madhe edhe në fushën e strategjive e të llogarive elektorale si dhe sipas sondazhit të kryer nga instituti italian “IPR marketing” në periudhën 27-30 prill 2013,  publikuar më 2 maj 2013, megjithëse LSI bashkohet me PS, aleanca e majtë zvogëlohet në krahasim me vitin 2009, kur PS e LSI kanë qenë veças. Ky përfundim duket paradoksal, por vjen për shkak të keqfunksionimit të bashkimit të së majtës, dukuri që e mori më qafë edhe 4 vjet më parë. Në fund të fundit, edhe llogaritë dhe pazaret me aleatët janë drejtuar dhe përmbyllur nga Edi Rama, kapiteni i “ekipit kombëtar” të së majtës. Kjo do të thotë që atij i mbetet përgjegjësia dhe faji nëse me llogaritë e ribëra  gabim me aleancën dhe aleatët i bën dëm të majtës dhe mirë Berishës. Përsëri kushdo ka të drejtë të pyesë: Përse luajti kështu e përsëri në dobi të Berishës? E bëri me kokën e vet apo të ndonjë këshilltari të keq? Kush e këshilloi të luante sipas kësaj skeme taktike?
Edi Rama ka luajtur keq dhe në dobi të Berishës edhe kur miratoi me konsensus me Kodin Zgjedhor ekzistues, me privilegje të tepërta për dy superpartitë dhe me hapësira për pazare dhe manipulime në favor të tyre dhe në dëm të minipartive.
Edi Rama krijon përshtypjen se luan për Berishën edhe me lënien e KQZ-së pa 3 anëtarët e së majtës. Edhe pse  mund të mendohet se mund t’i duhet si alibi për mos njohjen e humbjes dhe si pretekst për nja dy vjet kontestime dhe protesta pas 23 qershorit, siç bëri më 2009, nëse do të dëshironte të luante me të gjitha forcat për fitoren e së majtës, Edi Rama nuk duhet ta lërë KQZ-në vetëm me 4 anëtarët e Berishës.
Gjithnjë, sipas opinionit tim, Edi Rama ka luajtur keq dhe në dobi të Berishës edhe me strategjinë e tij të kundërshtimit, nihilizimit apo negativizimit të çdo pune të mirë të kryer nga pozita në dy mandatet e saj, si me veprat në infrastrukturë; me anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave; me kufizimin e evazionit fiskal; me rritjen e investimeve të huaja dhe të turizmit; me zgjerimin e dixhitalizimit dhe të rrjetit të internetit, e tj. Ka më shumë gjasa që Edi Rama  të fitonte më shumë pikë nëse do t’i pranonte këto arritje, qoftë edhe pa sinqeritet dhe me një koificent zbritjeje, nëse do të këmbëngulte t’ia hiqte eskluzivitetin PD-së dhe mazhorancës. Ai kishte edhe alternativën që të kërkonte evidentimin dhe njohjen edhe të rolit të opozitës për punët e mira si dhe duke premtuar sinqerisht se ne do të bëjmë më shumë, më mirë dhe më me pak korrupsion kur të na jepni votat dhe pushtetin.
Edi Rama mund t’i krijojë kujtdo përshtypjen se nuk është i sinqertë në kërcënimet kundër korrupsionit, se luan për Berishën, kur në krah ka bosë të korrupsionit rozë si Anastas Angjeli apo edhe disa figura të LSI-së, që kanë lënë gjurmë korrupsioni në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të Shëndetësisë, etj.
Shprehje e një loje të dobët apo në dobi të Berishës nga ana e Edi Ramës mund të interpretohen edhe fyerjet dhe kërcënimet e tij ndaj arsimtarëve, punonjësve të shëndetësisë,  etj. Duke i kërcënuar ai ua mund t’ua ndërrojë mendjen edhe atyre qytetarëve nga këto kontingjente që janë ose të lëkundur ose për rrotacion, duke i shtyrë ose drejt djegies së votave ose drejt PD-së.
Së fundmi, mund të thuhet se Edi Rama ka luajtur keq për 3 vjet, me kokën e vet apo të këshilltarëve të dobët, edhe në lojën politike në parlament e jashtë tij, për miratimin e 3 ligjeve të përcaktuara si kusht për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE. Ai do t’i kishte dhënë pikë dhe avantazh PS-së, të vlefshme sidomos tani në fushatën elektorale dhe do të kishte shmangur penalizimin në 23 qershor, nëse do t’i kishte votuar këto 3 ligje.
Ky akt do t’ia hiqte mundësinë Berishës që t’ia linte kopilin në derë dhe  ta paraqiste në vend dhe nëpër botë PS-në si parti të bojkotimit dhe bllokimit të procesit integrues në BE, kur në të vërtetë, në këtë drejtim, nuk mund të thuhet se nuk ka aspak përgjegjësi edhe PD-ja.
Mund të merret si autogol i Edi Ramës në minutat shtesë deklarimi i tij në mitingun e Kamzës, më 25 maj 2013 se “Berisha ju futi në NATO dhe ju bë jeta natë’, se “NATO-ja nuk është as bukë, as ujë”. Kjo është jo vetëm një gafë e rëndë politike, por edhe shprehje se ai, në mos është kundërshtar dhe bllokues i ndërgjegjshëm i proceseve integruese euro-atlantike të Shqipërisë, vetë-demaskohet si përçmues i tyre.
Natyrshëm shtrohet pyetja: Përse luan keq apo në favor të Berishës lideri i PS-së, Edi Rama? Më afër së vërtetës mund të jetë përgjigja: sepse ai vazhdon të jetë student në politikë dhe në qeverisjen qendrore, kur kundërshtari i tij është bërë prej kohësh PROFESOR edhe në këto dy fusha. Prandaj edhe Berishës i takon t’i jetë mirënjohës Edi Ramës për mënyrën si luan dhe për autogolat që shënon në portën e vet apo koshat që fut në tabelën e skuadrës së tij.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›