E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Raporti i KE, hartë rruge për Shqipërinë

Në kuadër të vizitës njëditore në Austri, ku referoi në konferencën “Bota në vitin 2025”, Kreu i Qeverisë zhvilloi një takim me z. Joseph Daul, kryetar i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. 

Kryeministri Berisha e njohu z. Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve te nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme të Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009. 

"Ky progres-raport do të shërbejë si një “road-map” për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian", siguroi Kryeministri Berisha, duke shfrytëzuar rastin për të kërkuar mbështetjen e grupit të PPE-së për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në mbyllje të vizitës së tij në Austri, Kryeministri Berisha pati rastin që në darkën zyrtare të shtruar për të pranishmit në këtë konferencë, të bisedonte edhe me Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.

Kryeministri shqiptar e informoi z. Buzek mbi zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri, si realizimi i reformave në fushën ekonomike, politike dhe sociale në vend, por edhe me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të plotësuar të gjitha standardet dhe kërkesat për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Nga ana e tij, z. Buzek shprehu vlerësimet për sukseset e qeverisë shqiptare në këto vitet e fundit, në implementimin e reformave themelore për integrimin dhe zhvillimin e vendit. Ai uroi Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen e tij në këtë post, si dhe pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›