E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmussen letër urimi Imamit: Shqipëria të shtojë trupat në Afganistan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i ka dërguar një mesazh urimi ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami me rastin e emërimit në këtë detyrë dhe e fton për të punuar fuqimisht për të transformuar Aleancën.
Në mesazhin e tij Rasmussen shkruan se "ju e merrni këtë detyrë shumë shpejt pas anëtarësimit të vendit tuaj në NATO dhe në një kohë me rëndësi të veçantë për Aleancën". "Koncepti i ri strategjik do të jetë thelbësor në formimin e veprimtarive të ardhshme të NATO-s me qëllim që Aleanca të mund të vijojë të garantojë sigurinë dhe stabilitetin në zonën Euro-Atlantike. Ai duhet të na ndihmojë për të pasur sukses në operacionet, për të siguruar kapacitete më të mira dhe për të forcuar partneritetin tonë", vijon mesazhi i Rasmussen, i cili sheh me optimizëm pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në këtë proces si dhe kontributin personal të ministrit Imami.
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s transformimi i NATO-s nuk do të ketë sukses nëse Aleatët individualisht nuk do të vijojnë fuqishëm të transformojnë Forcat e tyre të Armatosura. "E kuptoj se Aletatët tanë përballen me kufizime financiare, por do të doja të theksoja se zbatimi i planeve të mbrojtjes të Shqipërisë do të kërkojë angazhimin e burimeve të rëndësishme për një kohë të gjatë", theksohet në mesazh.
Rasmussen vë në dukje se Afganistani është përparësia kryesore operacionale e Aleancës dhe "unë do të doja ta inkurajoja Shqipërinë që të rrisë më tej kontributin në ISAF përgjatë mandatit tuaj".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›