Berisha: Raporti i ODIHR, objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme
Kryeministri Berisha ka mbajtur një konferencë shtypi pas publikimit të raportit të ODIHR. Berisha ka deklaruar se raporti është objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme.
Berisha ka thënë se raporti i ka vlerësuar zgjedhjet si kompetitive dhe transparente.
Berisha ka folur edhe për vlerësimin mbi garën e Tiranës, duke thënë se raporti thotë që ODHIR kërkon specifikimin e kodit zgjedhor për votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Sipas Berishës, në raportin e ODHIR, dy vendimet e gjykatave për Tiranën janë cilësuar të drejta.
Më poshtë është një pjesë e fjalimit të kryeministrit Berisha:
Ky raport është objektiv, por edhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë i vlerësoi zgjedhjet vendore të majit, si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm.
Kompetiviteti është shtyllë kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve. Kompetiviteti qëndron para së gjithash në të drejtën e të gjithë kandidatëve për garimin në mënyrë të barabartë.
Raporti shpreh vlerësimin më pozitiv për vendimin e Këshillit të Ministrave për të ndaluar përdorimin e mjeteve të administratës publike në garën elektorale. Kjo ishte hera e parë që ky standard në këto 20 vite u vendos në këto zgjedhje.
Raporti vlerëson se zgjedhjet ishin transparente dhe kjo është një dëshmi e që sistemi dhe shteti ligjor në Shqipëri funksionon. Çdo votë që u hodh, u numërua, u vlerësua dhe u llogarit në mënyrën më transparente. Ndaj dhe këto zgjedhje merituan që të vlerësohen si zgjedhje transparente.
Raporti thekson se gara e ngushtë në Tiranë sjell nevojën e specifikimeve dhe qartësimeve në kod. ODIHR thotë se numërimi dhe vlerësimi i votave të gabuara, duhet të parashikohet në kod, pra kërkohet që të qartësohet specifikisht në ligj.
Raporti që në hyrje thekson se numërimi në tërësi ishte pozitiv. Ndaj dhe zgjedhjet ishin kompetitive dhe transparente.
Ftoj opozitën që të ulemi dhe të marrim e trajtojmë një nga një rekomandimet e këtij raporti. I garantoj se si mazhorancë kemi vullnetin për të bërë të gjitha kompremiset e nevojshme, në mënyrë që opozita të gjejë hapësirat më të mëdha ato që ajo mendon se i shërbejnë sistemit zgjedhor.