Berisha: Raporti i OSBE-ODIHR fakton se ligji elektoral i vendit u shkelmua

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi sot kryesinë e PD-së.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se pas publikimit të raportit final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, PD e ka jetike “një analizë të ndershme, të gjithanshme, të sinqertë, të hapur, demokratike”.
Berisha u shpreh se u prit raporti i OSBE-ODIHR që PD për të kryer analizë për zgjedhjet.
“Dua që në fillim të qartësoj çdo demokrat, se kjo analizë është shtyrë vetëm për një arsye. Është pritur raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR. Është pritur ky raport sepse, në çdo debat tonin mund të përdorej nga pala kundërshtare për të ndikuar tek raporti”, tha Berisha.
“Ndaj dhe ne, zgjodhëm si taktikë më të drejtë, spostimin e analizës së brendshme dhe paraqitjen e përditshme të fakte, dokumenteve që dëshmonin se ato që ishin shkruar në raportin paraprak kishim mbështetje të fuqishme në fakte dhe të vërteta”, vijoi kreu i PD-së.
Berisha u shpreh se “PD paraqiti para shqiptarëve çdo ditë, fakte, dokumente, prova për ato që raporti i kishte evidentuar”.
Sipas Berishës, PD disponon “mbi 2000 fakte, prova, të dhunimit të zgjedhjeve. Një punë kjo, kolosale, kemi komunikuar online, ua kemi çuar të gjitha institucioneve”.
“Kështu që, këtë analizë që bëjmë, ne u paraqesim anëtarësisë sonë një përmbledhje të shkurtër, sigurisht se, të gjatë e ka cilido ta gjejë, të të gjitha këtyre gjetjeve, dhe krahas tyre rezolutat ndërkombëtare të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë në Evropë dhe në botë”, tha Berisha.
Berisha tha se “midis rezolutave partiake dhe raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR ngjashmëria është pothuajse e plotë”.
“Se mund të thotë kush që, këto rezoluta janë linjë partiake, por nuk thotë dot kush kurrë se 300 vëzhgues me kryesim të përfaqësuesve të Këshillit të Europës të Parlamentit të Europës, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kanë linja partiake. Në këtë kuadër, raporti thekson se në vitin elektoral u arrestuan 3 liderët e partive kryesore opozitare, atë që theksojnë rezolutat. Raporti thekson se, në shqyrtimin e krimit elektoral Skapi i partisë ishte indiferent. Nuk i shqyrtoi, çka përbën një damkë madhore në qëndrime ndaj lirisë së votës, por në qëndrime ndaj themelit të demokracisë, themelit të vlerave”, u shpreh ai më tej.
Berisha shton se “krimi i organizuar, thotë raporti, ishte aktiv në zgjedhje, në Elbasan, Durrës, Lezhë dhe një seri rrethesh tjera. Raporti i OSBE-ODIHR fakton se ligji elektoral i vendit u shkelmua në dhjetëra, qindra e mijëra herë. Janë të evidentuara 4530 aktivitete në kundërshti me ligjin”.
“Raporti, në mënyrë të përsëritur thekson se partia e pushtetit përdori pa kufij resurset njerëzore, financiare, logjistike, vendimmarrëse për të ndryshuar dhe krijoi fushë të pabarabartë në zgjedhje. Krijoi zgjedhje të pabarabarta. Shkeli parimin më themelor.
Pra, shkeli parimin e kushteve të barabarta në garë”, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.
/m.q/j.p/r.e/