Berisha: PD do të hapet drejt të rinjve dhe njerëzve me vlera

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, të zhvilluar sot në ambientet e selisë blu, se forca politike që ai drejton do të hapet drejt të rinjve dhe njerëzve me vlera.
Berisha e cilësoi këtë si një çështje themelore, ndërsa theksoi se nëse PD nuk hapet, nuk faktohet para anëtarëve dhe mbështetësve vullneti i hekurt për një imazh të ri dhe një ripërtëritje të fortë.
“Prandaj secili nga ju duhet të kërkojë të gjejë njerëz, vlera. Unë përpiqem, por sado këtë objektiv nuk e realizoj dot. Ky objektiv realizohet kur secili nga ju, secili deputet, drejtues i PD, anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera. Është jetike, janë jetike si ajri për ne. Ne duhet të afrojmë idealistë, njerëz me vlera që pranojnë dhe në opozitë që të përballen me këtë të keqe të madhe”, tha Berisha.
“Por, një gjë duhet ta dimë se, asgjë nuk do të përcaktojë më shumë fatin dhe të ardhmen tonë sesa një ripërtëritje e fuqishme e kësaj force politike, në mënyrë që me mjetet e kryengritjes paqësore, protestave të fuqishme, këtij shteti që shkërmoqet t’i japim duart, ta çojmë atje ku e meriton”, vijoi ai.
Berisha tha se duke mirëkuptuar plotësisht ata që kultura ligjore elektorale nuk i lejon të konkludojnë dallimin midis farsës elektorale dhe zgjedhjeve të vërteta, detyra e PD është që t’i sqarojë simpatizantët për gabimet, të drejtat, defektet dhe përgjegjësitë.
“Detyra jonë është të ulemi në një dialog të hapur, të dëgjojmë zërin e tyre, të shpjegojmë me durim dhe të marrim çdo përgjegjësi që na takon. Nuk shkohet tek anëtarët, simpatizantët tanë as për t’i fajësuar, as për t’i dëgjuar, apo për t’i shpërfillur. Jo, përgjegjësia nxirret siç është. Cilido që ka përgjegjësi, është e këtij, e imja, e jotja e me radhë. Por tek anëtarët, simpatizantët, shkohet të ngjallet shpresa dhe shpresa ngjallet vetëm me dritën e të vërtetave. Në këtë mënyrë është jetike që ne të angazhohemi me ta”, tha Berisha.
/e.i/r.e/a.f/