Berisha: Raporti i PE do të jetë program pune i PD

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se raportii Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian do të shërbejë si një udhërrëfyes për punën e opozitës në vijim.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se PD do ta përdorë këtë raport si bazë për programin e saj të punës, duke u fokusuar te parimi i integrimit mbi bazën e meritës, që sipas tij theksohet disa herë në raport. Ai vlerësoi gjithashtu misionin faktmbledhës të eurodeputetëve, të cilët vizituan vendin për të parë nga afër situatën politike dhe institucionale.
“Të jemi realistë, ky raport i shkëlqyer nuk është meritë e jona, ne kemi bërë punën tonë, por ai është meritë e atyre burrave, grave, që erdhën në mision me vlerësimin më serioz për gjendjen në Shqipëri. Erdhën për t’i parë gjërat në vend, për të vërtetuar dhe u faktuan me faktorë nga më të ndryshmit të shoqërisë shqiptare.
“Dëgjuan të gjitha palët, u njohën me dokumentet dhe ajo që është ana më pozitive, se ky raport i hartuar nga socialisti Andreas Schieder dhe i amenduar nga deputetë të grupeve të tjera, është raport unanim i komisionit. Mund të themi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë miratohet një raport i tillë. Dhe njëherë, ne këtë raport do ta kemi program pune. Aq sa na takon ne, do i përgjigjemi me të gjitha mundësitë tona, bazuar në atë parim që thotë raporti, integrimi i Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë”, tha Berisha.
Duke iu referuar përmbajtjes së raportit, Berisha u ndal edhe te çështja e zgjedhjeve, të cilat sipas tij raporti i cilëson problematike. Ai theksoi se, megjithëse kuadri ligjor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese, raporti evidenton probleme serioze në zbatim, përfshirë pabarazi në garë, keqpërdorim të burimeve shtetërore, presion mbi votuesit dhe pretendime për blerje votash.
“Ndërsa Komisioni dhe OSBE/ODIHR e vlerësojnë kuadrin ligjor zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zgjedhje kompetitive, pra kuadri ligjor lejon zgjedhje kompetitive, dhe jo se zgjedhjet ishin kompetitive, është një ridimensiom i fortë. Sigurisht fjala kompetitive do të thotë shumë kandidatura, por ka edhe pjesën tjetër që në garë duhet të jesh i barabartë dhe pikërisht për këtë arsye është bërë një riformulim i kompetitivitetit.
“Raporti identifikon dështime të vazhdueshme, fushë të pabarabartë loje, keqpërdorim të burimeve administrative që shuajnë linjën e ndarjes midis institucioneve shtetërore, e zbërthejnë fjalën shtet këtu, dhe zbërthejnë edhe fjalën parti, strukturave të partisë”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi me tej raportin si “formulimi më ligjor, më i drejtë i farsës elektorale në Shqipëri”.
/m.q/a.f/