Berisha: Referendum për t’iu kundërvënë skenarit të Ramës
Mblidhet grupi parlamentar i PD
“Do të jetë demokracia direkte ajo që do t’i kundërvihet skenarit të bllokimit të lidershipit socialist”. Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së radhës së grupit kuvendor demokrat, sqaroi dhe në të njëjtën kohë kërkoi mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për t’i organizimin e një referendumi, për miratimin e tre ligjeve kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat. “E hapa këtë debat i kam të gjitha shenjat dhe të dhënat se Rama po përgatit tërësisht skenarin e vitit 2009. Madje nëse e keni ndjek, deklaroi se dhe zgjedhjet e 2009 i kemi fituar ose do fitojmë si në 2009 dhe shpalli siguri në asamble për fitore në 23 qershor. I gjetur përpara kësaj situate, Kushtetuta përcakton mekanizma të qartë që kombi të mos merret peng nga askush. E kjo është demokracia direkte”, vlerësoi Berisha. Por duke u ndalur pikërisht në zhvillimet dhe pritshmëritë e kampit të majtë, kreu i mazhorancës ironizoi përbërjen e koalicionit të ri të kryesuar nga PS. “Së fundmi dhe Ilir hoxha në koalicion, dhe ai mungonte. Gjithashtu, krahas e Fiqiri Xibrit dhe dy parti komuniste”, u shpreh ai. Ndalur në zhvillimin ekonomik të vendit, kreu i qeverisë garantoi aplikimin e modeleve liberale, duke pasur në fokus pikërisht mbështetjen ndaj biznesit si treg për punësim. “Janë bërë një seri diskutimesh debatesh, kalkulimesh, përllogaritjesh dhe është arritur në përfundimin se përpjekja për të ndihmuar biznesin duhet të vazhdojë vendosmërisht. Krijimi i një tregu të lakmueshëm punë duhet të jetë një nga objektivat më madhor”, nënvizoi Berisha. Po kështu, Kryeministri Berisha bëri me dije se qeveria do të heqë tatim-fitimin për të gjithë punonjësit të cilët marrin nën 30 mijë lekë rrogë. Sipas tij, ky vendim i qeverisë nuk është vetëm 10 për qind rritje rroge por njëkohësisht edhe një mbështetje e madhe për sipërmarrjen dhe tregun e punës.
...