Heqja e mandatit të Fidel Yllit, deputetët e PD çojnë kërkesën në Kuvend
Deputeti socialist ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, ortak në një radio ndërkohë që ishte deputet
Deputetët e Partisë Demokratike kanë depozituar dje në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli për shkak se ata pretendojnë se, ai ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës. Deputetët kërkojnë që Kuvendi ta çojë çështjen e papajtueshmërisë me detyrën në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mësohet se kërkesa është nënshkruar nga një e dhjeta e tre. Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. “Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009”- thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë. Sipas deputetëve të PD-së, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja.
...