Berisha: Referendumi, shprehje e vullnetit të lirë dhe kundërshtim ndaj presioneve politike

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi këtë të hënë foltoren e radhës para Kryeministrisë, si një platformë komunikimi të qytetarëve dhe deputetëve të opozitës për adresimin e problematikave në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu drejtua mbështetësve të tij duke vlerësuar pjesëmarrjen në procesin e brendshëm të referendumit të zhvilluar në parti.
Berisha tha se procesi kishte “një vlerë të jashtëzakonshme”, pasi sipas tij, ai shprehu vullnetin e demokratëve dhe besimin ndaj drejtimit të tij.
“Referendumi kishte një vlerë të jashtëzakonshme sepse i tha Edi Ramës se fundi yt është i shpejtë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se pjesëmarrja në këtë proces, sipas tij, ishte shprehje e vullnetit të lirë dhe kundërshtim ndaj presioneve politike.
Berisha deklaroi se mbështetësit e tij nuk mashtrohen dhe nuk nënshtrohen, duke i cilësuar si njerëz me ndërgjegje të lartë politike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, duke i cilësuar si përgjegjës për, siç tha ai, keqqeverisje dhe abuzime.
/r.e/