KOMENT – Liderët botërorë të shqetësuar për rolin e Bjellorusisë në luftën e Rusisë në Ukrainë

KIEV, 25 maj /ATSH/- Lideri i opozitës bjelloruse në mërgim vizitoi sot Kievin, pas sulmit më të madh rus me raketa të këtij viti, raportoi AP.
Ndërkohë, liderët botërorë po ndjekin me kujdes se sa mbështetje është e gatshme të ofrojë qeveria bjelloruse për pushtimin në shkallë të plotë të Moskës.
Rusia dhe vendi aleat i saj, Bjellorusia zhvilluan javën e kaluar, manovra të përbashkëta bërthamore, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi, ditët e fundit se Bjellorusia mund të shërbejë si pikënisje për hapjen e një fronti të ri rus, në veri të Ukrainës.
Disa trupa ruse hynë në Ukrainë nga territori bjellorus gjatë pushtimit të nisur më 24 shkurt 2022.
Në një tjetër shenjë shqetësimi, presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi dje një bisedë telefonike me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko mbi luftën në Ukrainë, kontakti i tyre i parë që nga fillimi i pushtimit.
Rusia paralajmëron sulme të tjera “sistemike”
Ministria e Jashtme ruse deklaroi sot se sulme të tjera “sistemike” ndaj Kievit janë të mundshme.
Ajo u bëri thirrje shtetasve të huaj, përfshirë personelin diplomatik, të largohen sa më shpejt nga qyteti dhe u kërkoi banorëve të shmangin objektet ushtarake dhe qeveritare.
Sipas Moskës, sulmi ukrainas vdekjeprurës me dron, të premten ndaj një konvikti në Starobilsk ishte “pika e fundit”.
Ukraina deklaroi se kishte goditur vetëm objektiva që mbështesnin pushtimin rus.
Ushtria ruse mbetet e përfshirë në luftime të ashpra dhe të kushtueshme përgjatë frontit prej 1,250 kilometrash, që shtrihet kryesisht në lindje dhe jug të Ukrainës.
“Rusia ka “ngecur” në fushën e betejës, ndaj terrorizon Ukrainën me sulme të qëllimshme ndaj qendrave urbane”, deklaroi Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, pas sulmeve të fundjavës, që shkaktuan dy të vrarë dhe dëmtuan ndërtesa në Kiev.
Sipas raportimeve, mungesa e raketave të mbrojtjes ajrore, të prodhuara në SHBA, po e bën më të vështirë për Ukrainën të ndalojë sulmet ruse, ndërsa përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës janë bllokuar.
Vendet mbajnë nën vëzhgim Bjellorusinë
Gjatë bisedës me Lukashenkon, presidenti Macron theksoi rreziqet për Bjellorusinë nëse lejon të përfshihet në luftën e agresionit rus në Ukrainë”, sipas një këshilltari të presidencës franceze. Macron gjithashtu bisedoi dje me presidentin ukrainas, Zelensky.
Liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, gjatë vizitës së saj të parë në Kiev, deklaroi se regjimi i Lukashenkos, e dinte se çfarë duhej bërë për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por kjo nuk po ndodh.
Në vend të kësaj, kanë vazhduar sulmet hibride, shantazhi bërthamor dhe kërcënimet ndaj gjithë rajonit.
Sipas, një deklarate të shkurtër të presidencës bjelloruse, biseda telefonike me Macron u zhvillua “me iniciativë të palës franceze” ku u diskutuan “çështjet rajonale” dhe marrëdhëniet e Bjellorusisë me BE-në dhe Francën.
Lukashenko, i cili qeveris Bjellorusinë me rreth 9,5 milionë banorë për më shumë se tre dekada, mbështetet te Kremlini për energjinë e lirë, kredinë dhe ndihma të tjera.
Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Bjellorusisë, përfshirë edhe për shtypjen e të drejtave të njeriut dhe lejimin e përdorimit të territorit të saj për pushtimin e Ukrainës.
Së fundmi, Lukashenko ka tentuar të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin. Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai ka liruar qindra të burgosur politikë në kuadër të marrëveshjeve që kanë sjellë heqjen e disa sanksioneve amerikane.
Rusia përdor raketë hipersonike ndaj Ukrainës
Sulmi i djeshëm përfshiu edhe raketën balistike hipersonike “Oreshnik”, e cila mund të mbajë disa koka luftarake.
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se ajo mund të arrijë deri në 10 herë shpejtësinë e zërit dhe të shmangë sistemet e mbrojtjes ajrore.
Zelensky tha se shërbimet e inteligjencës ukrainase kishin marrë paralajmërime nga SHBA-ja dhe vendet evropiane se, Rusia po përgatitej të lëshonte një raketë të tillë.
Sipas kreut të Administratës së Kievit, Tymur Tkachenko, në sulm u plagosën të paktën 91 persona.
Zhvillime të tjera
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë njoftoi se zhytësit kishin gjetur mina magnetike të vendosura në trupin e një tankeri gazi të lëngshëm në portin baltik të Ust-Luga.
Sipas tij, minat ishin prodhuar në një vend anëtar të NATO-s, ndërsa Ukraina nuk ka reaguar menjëherë.
Ndërkohë, një raketë ruse goditi një biznes në qytetin verilindor ukrainas, Derhachi, duke vrarë dy persona dhe plagosur 19 të tjerë, sipas autoriteteve rajonale të Kharkivit. //a.i/