Berisha” Reforma e qeverisë, ombrellë e fuqishme e mbrojtjes ekonomike
“Rritja dhe zhvillimi ekonomik, garantuan vende të reja pune. Në katër vite Shqipëria mori 3.2 miliard dollarë investime të huaja. Investimet dhe krijimi i vendeve të reja të punës, prioritet absolut për Qeverinë”
Kreu i qeverisë tha se politikës bllokuese të opozitës, qeveria do t’i përgjigjet me investime, vende të reja pune dhe rritje ekonomike. Duke theksuar se ulja e papunësisë është një ndër prioritetet më kryesore të qeverisë, Kryeministri tha në fjalën e tij, se rruga e ndërtuar ka një impakt të madh në krijimin e vendeve të reja të punës në këtë zonë me një perspektivë premtuese, si për sa i përket turizmit, ashtu edhe në bujqësi.
“Për qeverinë qëllimi më kryesor i të gjitha përpjekjeve, i të gjitha reformave është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Njeriu i lirë i punësuar në kushtet e tregut ndërton vetë jetën e tij, mbrothëson jetën e tij, lumturon jetën dhe familjen. Prandaj për ne, krijimi i vendeve të reja të punës mbetet objektivi më absolut. Këto vite kanë qenë vitet më të vështira në Evropë, që nga kriza e viteve ‘20 të shekullit të shkuar. Kjo krizë e rëndë siç e dini dhe vetë ka pllakosur Evropën dhe pjesë të tjera të botës. Viktima më e rëndë e kësaj krize ka qenë shkatërrimi i dhjetëra e miliona vendeve të punës. Kjo krizë ka bërë që vende jo larg nesh, në rajon dhe në Evropë, të kenë një papunësi mbi 23 për qind, një papunësi që me gjithë këto shifra vazhdon të rritet. Por statistikat e Komisionit Evropian që raportojnë këto nivele papunësie, raportojnë gjithashtu se Shqipëria është i vetmi vend i rajonit në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por përkundrazi pësoi një ulje progresive dhe kjo ju garantoj ju se nuk ka ardhur për asnjë arsye tjetër, përveçse përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të krijuar vende të reja pune. Dhe vendet e reja të punës i garanton rritja dhe zhvillimi. Nga viti 2006 e deri më sot kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km rrugë, me qindra e qindra ujësjellës, kanalizime e shkolla. Në të gjithë këto është derdhur dhe derdhet djersa dhe mundi i dhjetëra dhe mijëra punëtoreve, teknikëve dhe inxhinierëve shqiptarë. Por rruga ndikimin në punësim, e ka shumë herë më të madh me zhvillimin që sjell. Nuk është fare e largët dita, kur unë pak vite më parë isha te Gjiri i Lalzit. E kam theksuar dhe e theksoj, se ka qenë për mua një nga udhëtimet më të trishtuara. U trishtova sepse pashë prodhimet bujqësore që kalbeshin, fermerë që nuk i nxirrnin dot në treg, toka të pambjella sepse nuk kishin ku të shisnin prodhimin. Rrugët janë kushti kryesor i zhvillimit. Pa rrugë nuk ka lagje të zhvilluara, nuk ka fshat të zhvilluar, nuk ka qytet të zhvilluar, nuk ka shtet të zhvilluar, nuk ka vend të zhvilluar. Studimet më serioze kanë faktuar se çdo dollar i investuar në rrugë e kthen veten me 5-fishin, e kthen sepse ndihmon zhvillimin e biznesit. Me rrugën lind tregu, me rrugën lind biznesi, me rrugën lind ferma moderne, me rrugën lind turizmi dhe shërbimet më të mira. Të gjitha këto së bashku kanë bërë që Shqipëria të mos ketë rritje, por ulje të papunësisë. Për ne ulja e papunësisë është qëllim madhor, prandaj dhe ne në një prej akteve më të para përgjysmuam taksat për biznesin shqiptar. Efekti i përgjysmimit të taksave në Durrës, në Manzë, kudo në Shqipëri ishte dyfishimi dhe trefishimi sipas qytetit i numrit të bizneseve, ishte dyfishimi dhe trefishimi i punësimit në këto biznese dhe investime. Në luftën që i bëmë korrupsionit me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne ia arritëm ta nxirrnim Shqipërinë nga fundi i dheut ku ishte për investime të huaja dhe të rrisim në katër vitet e fundit me 316 për qind investimet e huaja. Vetëm këto vitet e fundit, Shqipëria ka marrë 3.2 miliard dollarë investime të huaja. Shqiptarët qëndrojnë në nivelet më të larta të investimeve të huaja për frymë. Këto investime kanë bërë të mundur që në Shqipëri të krijohen me dhjetëra e mijëra vende të reja pune. Rrugët e vendit kanë qenë me fat të madh sepse ato nuk mund të bllokohen në parlament nga vota me tre të pestat”, tha ai.
Berisha theksoi gjithashtu se Shqipëria po avancon në projektet e saj për shndërrimin e saj në superfuqi të energjisë së rinovueshme.
“Në të katër anët e vendit po ndërtohen hidrocentrale. Në 3-4 vitet e fundit janë ndërtuar mbi 70 HEC-e. Asnjëri prej tyre në Durrës, Tiranë, në Manzë apo në Sukth. Të gjitha janë ndërtuar në zona që ne nuk i shohim sepse janë larg sepse janë përtej maleve, përtej kodrave, por janë në zona ku jetojnë shqiptarë, ku marrin rrogat, ku mbajnë familjet, ku punësohen dhe ata. Qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 332 HEC-ve në të katër anët e vendit dhe kjo do të thotë krijimi i dhjetëra vendeve të punës edhe në zonat më të varfra në të katër anët e vendit”, tha ai.
Zhvillim, tha kryeministri, ka njohur edhe turizmi. Ai tha se në kohën e qeverisjes socialiste Shqipëria vizitohej nga vetëm 300 mijë turistë, ndërsa një vit më parë numri i turistëve ishte 4 milion e 10 mijë.
“Ne bëmë realitet Shqipërinë turistike. 300 mijë turistë dhe vizitorë priste Shqipëria në vitin 2004 kur qeverisnin shokët socialistë, 4 milion e 10 mijë priti vitin e kaluar, ndërsa 300 mijë më shumë janë deri tani. Ky është një realitet i ri, një realitet i shkëlqyer, i cili ka bërë që sipas statistikave më serioze, ky sektor në Shqipëri punëson 190 mijë burra dhe gra të këtij vendi”, theksoi kryeministri.
Në funksion të industrisë së turizmit, Berisha premtoi se, krahas rrugës së sapo ndërtuar Armath- Hamallaj- Hidrovor, shumë shpejt do fillojnë punimet edhe për ndërtimin e segmentit tjetër, Hamallaj-Durrës.
“Industria turistike është shndërruar në industri kryesore dhe ju garantoj ju se ne që sollëm këtu rrugën Hamallaj-Manzë-Tiranë, do të ndërtojmë dhe rrugën tjetër Hamallaj-Durrës. Nuk ka kërkesë më të drejtë se sa kërkesa për rrugët”, vijoi kryeministri.
Kreu i qeverisë u ndal dhe tek sistemi i taksave që sipas tij, ishte përgjysmimi i taksave që shumëfishoi bizneset. Sipas tij, ata që premtojnë rritjen e taksave, investohen drejtpërdrejt për shkatërrimin e bizneseve dhe vendeve të punës.
“Reformat kanë qenë një ombrellë e fuqishme e mbrojtjes ekonomike. Përsëri ne do i thellojmë ato. Ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e vendeve të punës, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e bizneseve, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata kanë nostalgjinë e kohërave që nuk kthehen më. Ne përkundrazi do t’i ulim më tej ato. Ne përkundrazi do të zvogëlojmë më tej sektorin publik, në mënyrë që sektori privat të marrë frymë më lirshëm. Ne jemi krenarë sot sepse ne jemi një nga administratat për frymë më të vogla të planetit. Vërtet jemi larg të qenurit të përsosur, por ne jemi krenarë sot, sepse jemi sipas të gjitha të dhënave, qeveria më dorëshkurtër në drejtim të ndërhyrjes në biznes. Ne besojmë se qytetari shqiptar me iniciativën e tij të lirë, me gjeninë e tij krijuese, i ka të gjitha potencialet, në rast se i garantohen liritë, të mbrothësojë veten dhe familjen e tij”, tha më tej kryeministri Berisha.