“Reformat integruese janë perceptuar pozitivisht nga Komisioni Europian”
Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, takohet me Ministrin e Jashtëm Emdond Panariti,
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Ettore Sequi.
Takimi u mbajt në kuadrin e vizitës së pritshme që kryediplomati shqiptar, Panariti do të zhvillojë javën e ardhshme në Bruksel dhe bisedimeve që ai do të ketë me zyrtarë të lartë të Komisionit dhe të Parlamentit Evropian.
Gjatë takimit, Ministri Panariti informoi mbi ecurinë pozitive të procesit të reformave në kuadrin e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian për marrjen nga Shqipëria të statusit kandidat brenda këtij viti. Ai tha se, pavarësisht debateve në gjirin e politikës shqiptare, një objektiv i unifikuar i saj është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, pasi kjo është një aspiratë e të gjithë popullit shqiptar.
Më tej, ai nënvizoi hapat konkret të ndërmarrë në drejtim të reformës zgjedhore, çështjes së imunitetit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës administrative dhe asaj në sistemin gjyqësor. Gjithashtu, ai vlerësoi rolin aktiv dhe mbështetjen inkurajuese të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian në avancimin e agjendës integruese të Shqipërisë, duke siguruar për vazhdimin e zbatimit në kohë dhe efikas të reformave në proces, sipas Planit të Veprimit të gjithë-pranuar.
Nga ana e tij Ambasadori Sequi, theksoi se reformat e lartpërmendura janë perceptuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian, i cili inkurajon vazhdimin e mëtejshëm të tyre deri në finalizim, para hartimit të raportit të progresit nga ana e Komisionit në tetor të këtij viti.
Gjithashtu, ai rikonfirmoi mbështetjen nga ana e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe të Komisionit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.