Berisha: Reforma në Akademinë e Shkencave, në përputhje me standardet ndërkombëtare
Kryeministri Sali Berisha theksoi dje rëndësinë që paraqet përfundimi i shpejtë i reformës së Akademisë Shkencave, në përputhje me standardet e përparuara ndërkombëtare. Kreu i Qeverisë e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të organizuar me Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe Komisionin Përzgjedhës të anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave, i cili zhvilloi dje mbledhjen e tij të parë në Tiranë. Gjatë takimit, Kryeministri falënderoi veçanërisht akademikët e huaj për gadishmërinë që treguan për të kontribuar, në përbërje të Komisionit Përzgjedhës, si organi më kryesor që po realizon reformën e Akademisë. uke nënvizuar rolin e madh që duhet të luaj Akademia e Shkencave si institucioni më prestigjioz i shkencës në vendin tonë, Kryeministri Berisha shprehu besim se “shkencëtarët më të shquar shqiptar, kudo që janë, brenda apo jashtë Shqipërisë, do të konkurojnë për të qenë anëtarë të Akademisë”. Nga ana e tyre, akademikët e huaj i shprehën Kryeministrit Berisha vlerësimin e tyre pozitiv për interesimin e madh që qeveria po tregon për reformimin e universiteteve dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Në këtë drejtim, ata vlerësuan se “reformimi i Akademisë së Shkencave, si institucioni që organizon, ruan e pasuron kulturën dhe trurin e kombit, është thelbësor për demokracinë, të ardhmen dhe zhvillimin e Shqipërisë”. Për herë të parë në vendin tonë zbatohet një procedurë përzgjedhjeje e anëtarëve të rinj në institucionin akademik më të rëndësishëm të vendit, me një Komision ku marrin pjesë 4 akademikë shqiptarë dhe 5 shkencëtarë të huaj, nga Italia, Franca, Gjermania dhe Austria.