Berisha: Reforma në shëndetësi në bazë të sistemit të kontratave
Kryeministri, Sali Berisha ka sugjeruar realizimin e reformës në shëndetësi në bazë të sistemit të kontratave. Sipas tij
suksesi i kësaj reforme është kontratë dhe dalja zot kontratës me gjithë përkushtimin e duhur.
"Nuk ke pse të zësh vendin e punës njëherë e mirë, në rast se nuk i del zot punës tënde. Duhet të jesh me kontratë të caktuar dhe për këtë duhet të përcaktoni kriteret më të mira.
Raitingu është i domosdoshëm, provimi dixhital dhe i pa depërtueshëm nga korrupsioni, është i domosdoshëm" tha sot Kryeministri, Berisha gjatë mbledhjes së parë të Task Force për Reformën në Shëndetësi, në të cilën morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, si dhe drejtues e specialistë të fushës së shëndetësisë.
Kryeministri vlerësoi rolin e kësaj Task Force në projektimin, zbatimin dhe kompletimin e reformës shëndetësore, si një kusht përcaktues për t'u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që ata meritojnë.
"Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të ofruar një shërbim cilësisht shumë të mirë në të gjithë sistemin e saj shëndetësor, për të ndërtuar një politikë në mbrojtje dhe në zhvillim të shëndetit, në parandalimin e sëmundjeve dhe në trajtimin e tyre", u shpreh Berisha.
Duke iu referuar nevojës në madhe në ecjen para të reformës në shëndetësi, Kryeministri theksoi se duhet të përcaktohet jo vetëm i gjithë projekti i kësaj reforme, por edhe planin e veprimit për zbatimin e saj, në mënyrën më të vendosur.
"është e domosdoshme të përzgjedhim se cilit model duhet t'i përmbahemi. Parimet mbi të cilat ndërtohet kjo reformë janë të vërteta për Shqipërinë, për Francën, Gjermaninë e çdo vend dhe nuk ka dy standarde në këto parime", vijoi Kryeministri.