E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reformat e kthyen Shqipërinë në destinacion kryesor turistik

13-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët e Aleancës për Qytetarin në Lezhë e Shijak, duke konfirmuar përpjekjen e përbashkët për ndryshimin e Shqipërisë dhe arritjen e standardeve evropiane

“Aleanca për Qytetarin ka vendosur ta shndërrojë këtë fushatë në fushatë për qytetarin, ku ai do të jetë në epiqendër të programit të kandidatëve të saj”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha gjatë ceremonisë së prezantimit në Lezhë, të kandidatit Viktor Tusha të “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e këtij qyteti.
Sipas tij, në këto 4 vite, ne kemi një qëllim madhor, atë të shndërrimit të Lezhës dhe Shqipërisë, në një vend të zhvilluar. “Së bashku, ne ndajmë përpjekje të mëdha, lumenj djerse dhe dhimbjesh, por edhe arritje historike, për ne dhe brezat që vijnë. Secili prej nesh, sheh me krenari në sy njëri-tjetrin, sepse ne jemi ata të cilët e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s. Që nga kohërat e Skënderbeut dhe deri më sot, kurrë në histori, liria e Shqipërisë nuk ka qenë e sigurt si sot. Me anëtarësimin në NATO ne jemi të sigurt që të ndërtojmë çdo ditë të ardhmen që meritojmë”, tha më pas kreu i qeverisë.
Duke shtuar, se ne nga vendi që ishim të rrethuar me tela me gjemba, sot lëvizim të lirë në të gjithë Evropën, e kjo falë reformave të thella.
Ku këto të fundit, sipas Berishës, kanë bërë që ne të kemi edhe ekonominë më të zhvilluar, që ecën me ritme të shpejta, edhe në kohën e një krize të madhe ekonomike.
“Sot ne kemi një arsye madhore për të qenë krenarë me punën tonë, pasi këtë vit Lezha dhe Shqipëria janë shpallur E bukura e Dheut, destinacion kryesor i Evropës.
Për vendin me turizëm dikur të ndaluar dhe që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, ai arrin që të cilësohet si destinacioni më i madh turistik, një arritje shekullore kjo”, tha mes të tjerash Berisha.
Nga ana e tij, kandidati për bashkinë e Lezhës, duke paraqitur prioritetet e programit të tij elektoral, u shpreh se, vetëm në 4 vjet, janë realizuar mbi 14 miliardë lekë investime, ose 8 herë më shumë se premtimet tona, gjë që ka sjellë ndryshime të shumta në jetën e komunitetit të Lezhës.
Ai shtoi se destinacioni turistik do të mbetet në qendër të projekteve të ardhshme për qytetin e Lezhës. “Sfida jonë jeni ju dhe pritshmëritë tuaja. Falënderojmë dhe qeverinë për investimin në Kalanë e Lezhës. Realizuam edhe planin e përgjithshëm të qytetit, duke i dhënë fund masakrës urbane. Ndërhyrjet infrastrukturore sipas standardeve, janë të tjera objektiva tonat, pa harruar si kanalizimet, sistemimet e trotuareve apo rruga e re e spitalit, e investuar nga qeveria, janë vetëm hapi i parë i këtij plani rregullues i kontrolluar i qytetit tonë”, tha në fjalën e tij kandidati Tusha, duke shtuar se politikat fiskale të qeverisë, kanë bërë që të rritet ndjeshëm mbështetja e saj dhe të lulëzojnë bizneset, gjë që ka sjellë uljen e papunësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›