E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi i korpusit të paqes për Ramën vjen nga Elbasani

13-04-2011 / Redaksionale

Dy ditë më parë kandidati i Bashkisë Tiranë Edvin Rama shkoi në qytetin e Elbasanit jo vetëm për të prezantuar kandidatin e PS-së, Qazim Sejdini për një mandat të dytë, por edhe për të dhënë direktiva në rast humbjeje. Në fjalën e tij, Rama ka ritheksuar se e vetmja rrugë për shqiptarët është Ai dhe Qazimi. Ai në Tiranë, kurse Qazimi në Elbasan.
Mirëpo Edi Rama shkoi në Elbasan për të propaganduar anatemën e përhershme kundra qeverisë Berisha për “vjedhjen e votave”, si “regjim i kusarisë”, d.m.th  jo për të prezantuar Qazimin si kandidat. Prandaj ai kërkon, siç kërkoi në Elbasan zgjedhje të parakohshme me çdo kusht dhe me çdo arsye të mundshme. Bile ka një plan rezervë për këtë. Afërmendsh siç dihet lufta e tij është me të gjithë, kundra të gjithëve dhe me gjitha mjetet. Ndonëse është pikërisht kjo filozofi që ka alarmuar ambasadorin Amerikan, i cili ishte dje në Elbasan për të fikur urën e zjarrit të ndezur nga kreu i socialistëve. Për ndërkombëtarët, Ai është i gatshëm të marrë iniciativa të rrezikshme për të mos rrezikuar pushtetin e tij. 
Megjithatë s’është rastësi që Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu i ka bërë edhe një herë tjetër thirrje forcave të mëdha politike nga qyteti i Elbasanit, që të ruajnë qetësinë gjatë fushatës elektorale dhe të tregojnë maturi. Roli i ambasadori Amerikan në këtë fushatë elektorale ngjason me atë të një zjarrfikësi të përkushtuar, i cili ndjek hap pas hapi një piroman të frikshëm e të rrezikshëm shoqërisht, që kërcënon të djegë zgjedhjet në momentin e parë që kupton se mund ta humbë pushtetin me votë. Në këtë kontekst qëndrojnë edhe paralajmërimet kërcënuese të Ramës sepse përditë ndjen humnerën e frikës së humbjes në 8 maj. Ndaj po mundohet të para-shpallë se Zgjedhjet mund të vihen në dyshim ende pa filluar, duke i shkelur syrin “popullit opozitar” që të hyjnë në fushë për të prishur lojën me gjithë rregullat e saj. Kooptohet vetiu se provat teknike kanë nisur me provokimet e një pas njëshme që kanë nisur të shfaqen kudo, si në Kashar, në Bathore, në Pogradec, bile edhe në mes të Tiranës, ku Bashkia e Ramës jep leje partisë së Ramës për të ngritur një mega-strukturë metalike të paligjshme, kur leja është për një çadër si ajo e grevës së urisë. Ky gjest afër bulevardit Dëshmorët e Kombit kërkon të japë mesazhin për një pritë tjetër ndaj kryeministrit Berisha, duke mishëruar hakmarrjen që ka premtuar Rama në Fier, Leshë dhe Gjirokastër, që jo rastësisht janë vendet e origjinës së 4 të vdekurve të ngjarjeve të trishta të 21 janarit.
Ndërkaq, me këtë çadër Partia Socialiste po përgatit një demonstratë virtuale, prandaj ai shkon nëpër rrethe jo për të prezantuar kandidatët, po për të ftuar qytetarët të tejkalojnë politikën. Transmetimi i kësaj frike nëpër foltoret bashkive të mëdha ka shqetësuar së tepërmi ndërkombëtarët, sidomos ambasadorin amerikan Arvizu, i cili ka zgjedhur Elbasanit, një qytet i njohur për gjakftotësi dhe maturi qytetare, për të dhënë mesazhin e  standardeve të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Dhe ky mesazh është i drejtuar njeriut që acaron tonet e  fushatës për të acaruar njerëzit deri në pikën  e shpërthimit. Një mesazh që duhet përtypur mirë nga Edi Rama, në mënyrë që të ulë tonet, për t’ju kthyer normalitetit. E sidozot normaliteti është parashtrimi i problematikave qytetare dhe zgjidhja e tyre në qeverisje vendore.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›