Eduard Kukan: Partitë politike të pranojnë rezultatin e 8 majit

Europarlamentari i njohur pohon se prezenca e vëzhguesve të OSBE/ODHIR dhe BE-së do të shërbejë si një garanci, që partia e cila do humbë zgjedhjet, të mos mund të marrë qëndrimin që ka mbajtur më parë.
Z.Kukan, a do të jetë prezenca e vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ata europianë e rëndësishme këtë radhë për të certifikuar zhvillimin dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke konfirmuar në fund, se rezultati është i njëjtë për të gjithë?
Disa nga kolegët e mi thonë, se vëzhgimi këtë radhë do të merret shumë seriozisht, pasi ne kemi eksperiencën e mëparshme, ku OSBE ka certifikuar rezultatin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe me këtë, ka patur kontestime të zgjedhjeve.
Pra, prezenca e vëzhguesve të OSBE/ODHIR dhe BE-së do të shërbejë si një garanci, në mënyrë që partia që do humbi zgjedhjet të mos mund të marrë qëndrimin që ka mbajtur më parë.
Pra, çertifikimi i tyre do jetë i rëndësishëm, duke pritur që rezultati të pranohet nga të gjithë, nëse zgjedhjet zhvillohen siç duhet.
A është BE-ja e përgatitur për një tjetër valë kontestimi të zgjedhjeve, pasi ç’do bëhet nëse njëra palë konteston zgjedhjet?
Bashkimi Europian është gati që të vazhdojë progresin e integrimit europian të Shqipërisë. Progres-raporti do të shpallet në tetor të këtij viti, pra s’mbetet shumë kohë deri atëherë. Pra, nëse Shqipëria do të prezantojë rezultate konkrete deri në tetor, punë duhet të intensifikohet tani, se mbeten vetëm disa muaj. Nëse zgjedhjet lokale zhvillohen siç duhet, kjo do të jetë një sinjal i mirë, por jeta nuk mbaron aty. Ajo që kërkohet është rivendosja e një dialogu politik dhe funksionimi i duhur i institucioneve demokratike, si parlamenti që ishte dhe shkaku kryesor pse opinioni i Komisionit Europian për 2010 ishte i tillë. Pra, pjesa pas zgjedhjeve lokale është e rëndësishme.