E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Refuzoj të hap punimet e Kuvendit. Rama mashtron si Papandreu

TIRANË-Ndërsa para seancës së parë parlamentare në nisje të legjislaturës së re, pritet që kryeministri ende në detyrë Berisha t’i dorëzojë dorëheqjen Presidentit të Republikës, vjen deklarata ku ai refuzon të hapë nesër punimet e Kuvendit.

“ Unë refuzoj të hap nesër punimet e Kuvendit”, kështu e nis deklaratën e tij në rrjetin social, Facebook, kryeministri në ikje, Sali Berisha duke shtuar më tej se “Mazhoranca e Piktorit është ngritur mbi mashtrimin, krimin, paratë e drogës!” 

Më tej, Berisha sqaron sipas tij se përse e deklaron këtë refuzim. Duke sjellë një përqasje të premtimeve të Papandreut në Greqi me ato të Edi Ramës në Shqipëri, kryeministri në detyrë theksoi se dhe vendi jonë do të ketë të njëjtin fat si Greqia që hyri në krizë pas mashtrimeve të politikanit.

“Të dashur miq, unë dua t'ju sqaroj pse refuzoj të hap neser punimet e Kuvendit te ri. Kjo nuk ka asnjë lidhje me faktin se ne kaluam në opozitë. Por sepse kjo mazhorancë erdhi në pushtet me mashtrime antiglobaliste si ato të Papandreut në Greqi. Papandreu mashtroi grekët duke iu deklaruar se "paratë janë, por duhet të jemi ne" pra duhet të më votoni mua për të dalë nga kriza. Miku i tij në Shqipëri, Piktori i dështuar, duke përdorur si dëshmitar të rremë Ilir Metën, iu premtoi shqiptarëve se shërbimi shëndetësor do të jetë falas pa kontribute, legalizimet do bëhen falas, çmimet do ulen për të gjitha ushqimet dhe energjinë për të gjithë shqiptarët, taksat do ulen për 95 % të shqiptarëve, do të krijojë 300.000 vende pune dhe të përndjekurit do t’i dëmshpërblejë brenda dy viteve, madje me 25 euro për ditën e vuajtjes. Por për të arritur këto duhet të më votoni.
Dy vjet pas mega mashtrimeve, Papandreu zhyti shumë thellë Greqinë në krizë ndaj dhe qytetarët i prenë biletën dhe ai u zhduk. Së shpejti me siguri kjo do ndodhë edhe me Edi Ramën në Shqipëri. Kjo mazhorancë nuk qëndron sepse është ngritur mbi mega mashtrimin, paratë e drogës dhe krimit të organizuar. Sb”, shkruan Berisha në Facebook duke postuar në profilin e tij bashkë me shkrimin dhe një foto shoqëruese. Në foto, paraqitet vetë ai me 2 gishtat përpjetë.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha dorëhiqet të hënën, para seancës së Parlamentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›