Berisha: Revolta është rruga e vetme në kushtet e regjimit

TIRANE, 9 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në komunikimin me qytetarët nga banesa ku ndodhet në masën e sigurisë arrest shtëpie, se vetëm revolta është rruga e vetme në kushtet si tha ai, kur pushtet janë në duart e vetëm një njeriu.
Berisha tha se vendi ndodhet në kushtet e një regjimi që ka vendosur mbi shqiptarët sundimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së tmerrshme të qytetarëve shqiptarë.
Ai bëri apel për vijimin e protestave.
“Ju protestoni te bashkia. Të tjerët protestojnë në Thumanë, të tjerët në Maliq sepse në këtë vend ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, vetëm revolta, vetëm protesta kundër tij është rruga e vetme”, u shpreh Berisha.
“Është rruga e vetme për të mos u shndërruar në fasadë të regjimit më kriminal që Shqipëria ka pasur në tërë historinë e saj”, tha ai.
Berisha theksoi se, qytetarët shqiptarë janë qytetarët e vetëm në Europë, të cilët janë me drejtësi të munguar.
“Shteti ligjor në Vietnamin e diktaturës komuniste është 4 kate mbi shtetin ligjor të mobokracisë së Shqipërisë, anëtare e NATO-s, kandidate e BE, turpi, faqja e zezë e Europës dhe e botës. Qytetarët shqiptarë janë të vetmit që për një vendim drejtësie, duhet të presin 14.6 vite dhe si shpërblim marrin mesazhe se ne mbështesim drejtësinë e re. Se ne kemi besim te drejtësia e re”, tha ai.
“Për drejtësinë që për të marrë vendimin në gjykata, duhet të presë 14 vite shqiptari? Po të paktën këtë mos e bëni. Për cilën bëni fjalë ju? Kur kryeministri, i ka vënë drynin Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë norma kushtetuese në doktrinën e të drejtës. Zotërinj, në qoftë se nuk gjeni forcë të realizoni dramën që u krijua me drejtësinë, të paktën mos vazhdoni të mbështesni Edi Ramën. Të mbështesni Edi Ramën se shqiptarët po qeshin dhe bota do qeshë me ju”, u shpreh Berisha.