Berisha: Rezoluta e miratuar në Kuvend fakton konsekuencën e PD ndaj procesit të integrimit

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se rezoluta e miratuar dje në Kuvend se bashku me Partinë Socialiste për procesin e integrimit evropian, pasqyron qëndrimin konsekuent të opozitës ndaj integrimit të Shqipërisë në BE.
Berisha shtoi se problematikat që lidhen me qeverinë dhe zyrtarë të saj “janë të nënkuptuara në çdo paragraf” të rezolutës.
“Në mënyrë absolute në atë rezolutë, nga rreshti i parë tek i fundit, nuk shprehet asnjë vlerësim, edhe më i vogël, qoftë për punën e parlamentit dhe të qeverisë në procesin e integrimit, siç mund ta konstatosh.
“Roli qendror i parlamentit është trajtuar në disa paragrafe ku është kërkuar të merret, sepse nuk ekziston. Kërkesat ndaj qeverisë janë parashtruar, sepse ajo nuk ka asgjë në atë fushë. Dhe në fund konkludohet që integrimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë, ashtu siç ka kërkuar PD gjithnjë”, tha Berisha.
Sipas tij, opozita ka mbështetur vazhdimisht procesin e integrimit europian, por ka theksuar se Shqipëria nuk plotëson kriteret, përveç atij gjeopolitik.
“Ne besojmë se ajo rezolutë paraqet në njëfarë aspekti, duke zhveshur totalisht nga çdo pretendimi i derisotshëm i parlamentit dhe qeverisë, përbën një qëndrim të opozitës, e cila prej dy vitesh ka një deklaratë. Deklarata e saj është kjo: që ne mbështesim plotësisht procesin e integrimit, por theksojmë se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik, që është një kriter shumë i rëndësishëm, nuk plotëson asnjë kriter tjetër. Ata votuan një rezolutë, e cila nga alfa, tek omega shtron kërkesa dhe nuk ka asnjë vlerësim të vetëm për punën e qeverisë dhe parlamentit në drejtim të integrimit.
“Përkundrazi, në çdo frazë bën të qartë problematikat e mëdha të cilat duhet të adresohen, gjer tek denoncimi që i bëhet përpjekjes Rama-Vuçiç për rrugët e tjera të integrimit. Nga ana tjetër, rezoluta fakton para shqiptarëve edhe një herë konsekuencën e PD ndaj procesit të integrimit. Ndaj integrimit të bazuar në meritë, në performancë”, tha Berisha.
/m.q/r.e/a.f/