Nga data 10 qershor 2026 hyn në fuqi fshirja e borxheve tatimore dhe doganore

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Administrata Tatimore njoftoi se nga data 10 qershor 2026 hyn në fuqi fshirja e borxheve tatimore dhe doganore, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Në vijim të udhëzimit, Tatimet bëjnë të ditur se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit do të hartohet lista e plotë e subjekteve përfituese nga fshirja e detyrimeve tatimore, si dhe e atyre që nuk përfitojnë.
Sipas njoftimit, tatimpaguesit do të informohen elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”, ndërsa pas përfundimit të procesit do të vijojë kompensimi automatik i tepricave kreditore të TVSH-së ose tatimeve të tjera me detyrimet përkatëse.
Ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore deri më 31 dhjetor 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, ndërsa për periudhën 2015-2019 parashikohet shuarje e pjesshme e detyrimeve, në varësi të pagesës së principalit brenda afateve të përcaktuara.
Për periudhën 2020–2024, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që detyrimi kryesor të paguhet plotësisht brenda afateve ligjore.
Gjithashtu, përfshihen edhe lehtësime për subjektet e çregjistruara, për deklarimet e vonuara dhe për gjoba administrative deri në vitin 2024, sipas përcaktimeve të ligjit.
Administrata Tatimore theksoi se disa kategori subjektesh nuk përfitojnë nga ky proces, përfshirë ato me vendime gjyqësore të formës së prerë për vepra penale tatimore apo doganore, si dhe subjektet në hetim ose proces gjyqësor.
Institucioni u bëri thirrje tatimpaguesve të verifikojnë gjendjen e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të ndjekin afatet e përcaktuara për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.
/e.xh/a.f/r.e/