E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Rrugët kanë mbetur siç i lamë në 2013

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve të ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, në qytetin e Gramshit u ndal tek infrastruktura dhe shëndetësia.

Në fjalën e tij Berisha theksoi se “Gramshi si asnjë rreth tjetër ka nevojat më emergjente.
Para se të vija këtu, një mik i imi, Besnik Kala, më bën një mesazh, më thotë: Rruga e Kodoviatit mbeti aty ku e latë në vitin 2013. Janë me dhjetëra fshatra, të cilat as rrugët e qerreve nuk i kanë më siç i kanë pasur. Ndërkohë Gramshi në të vërtetë është një rreth me pasuri shumë të mëdha”.

“Është një rreth me njerëz shumë punëtorë, të përkushtuar. Është një rreth në të cilin është një kopsht i vërtetë me dru frutorë. Të gjitha pemët rriten dhe të cilësisë më të mirë.
Është një rreth me potencial malor të madh turistik, ka një nga liqenet më të bukura, liqenin e Banjës. Por të gjitha këto potenciale të mëdha nuk i gëzojnë gramshiotët, nuk shndërrohen në pasuri për familjet dhe banorët e Gramshit. Të gjitha këto pasuri nuk begatojnë familjet në Gramsh dhe qytetarët, por i detyrojnë vetëm të largohen. Nga 50 mijë banorë, Gramshi sot ka gjithsej 16 mijë”, theksoi Berisha.

Sipas tij, qeveria ka vjedhur miliarda nga rrogat dhe pensionet, të cilat i kanë kaluar në rrugë, që i ndërtojnë me çmime 10 herë më të larta se në Europë.

Siç ka infrastrukturën, vijoi Berisha, Gramshi ka infrastrukturën e arsimit, infrastrukturën e shëndetësisë.

“Këtu para dy vitesh një mjeke e nderuar më tha se ishte mjeke në një zonë me 8 mijë banorë në fshatra. Një heroinë e vërtetë sepse mjekët ikën, ikën dhe vetëm ikën.
Sot ne kemi zbritur si vend në nivelin e vitit 1960 për mjekë për numër banorësh. Kemi katër herë më pak se BE. Pra, kanë qenë 12 vite rrokullisje të vërtetë”, u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës tha se “inflacioni i ka rritur çmimet e ushqimeve 250%. Dhe për të përballuar këtë rritje të çmimeve, pensionisti duhej të kishte pensionin 390 mijë lekë sot. Kjo është e vërteta”.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›