E Martë, 3 Nëntor 2026

Spiropali: Shqipëria europiane u hap rrugën të rinjve

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, njëherësh bashkëdrejtuese e Partisë Socialiste për Tiranën, Elisa Spiropali, deklaroi sot se një nga investimet e bëra nga qeveria, ka qenë pikërisht fakti që SPAK të ketë fuqinë të veprojë pa u penguar.

Në një intervistë televizive Spiropali foli mes të tjerash edhe në lidhje me Reformën në Drejtësi, ku tha se pandëshkueshmëria ka pësuar një zmbrapsje pa kthim, ndërsa nuk la jashtë vëmendjes edhe qasjen e opozitës, dhe kryesisht të PD, ndaj organeve të drejtësisë së re.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ndërkohë që PS mbështet drejtësinë, PD ka në program shkrirjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe gjuha e sulmet ndaj prokurorëve prej tyre është jonormale.

“Ne besojmë tek një drejtësi e pavarur, kemi investuar për këtë, që SPAK të ketë të gjithë fuqinë që i jep ligjit, pandëshkushmëria ka pësuar një zmbrapsje fatale pa kthim. Nëse kundërshtarët tanë për çdo rast kur drejtësia godet nuk lënë epitet pa i vënë prokurorëve e sulm pa i bërë sistemit të drejtësisë, pjesë e programit të tyre është shkrirja e SPAK, ne kemi një qasje tjetër”, tha Spiropali.

“Ne e kafshojmë gjuhën, por besojmë që në Shqipëri askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por pa dyshim edhe mbi ligjin”, tha ajo.

Spiropali deklaroi gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të hapë rrugën që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në vendet europiane njëlloj si të rinjtë nga vendet e BE dhe me të njëjtat tarifa.

Spiropali nënvizoi se mundësitë që sjell anëtarësimi në Union nuk do të humben për shkak të “tekave e halleve politike të një njeriut të vetëm, e një familje biologjike dhe politike që nuk po arrin të rinovohet”.

E pyetur në lidhje akuzat e opozitës për korrupsion dhe nepotizëm, Spiropali tha se në fillim kur PS erdhi në pushtet, gjeti një administratë të terrorizuar nga pushimet nga puna pa kriter dhe pa respektuar asnjë bazë ligjore, por se tani administrata është një nga arsyet se përse u mundësua hapja e grup-kapitujve, pas kalimit me sukses të procesit screening.

“Administrata është një nga arsyet pse kemi çelur grup-kapitullin e parë me BE. Jemi pararojë në rajon për progresin e administratës. Gjetëm një administratë të traumatizuar nga lëvizjet e papritura, ku hiqeshin nga puna pa asnjë lloj kriteri e pa respektuar ligjit. Sot Shërbimi Civil është i konsoliduar, një ligj drakonian për lëvizjet brenda administratës”, tha Spiropali.

“Kjo administratë nënvlerësohet por duhet të kuptojmë që i ka mbijetuar procesit screening nga BE. Duhet të shohim jo me syze të errëta, natyrisht që ka nevojë edhe për përmirësime. Nuk mund të kemi një Shqipëri europiane pa një administratë europiane. Dhe çelja e grup-kapitujve është një test që besoj se do ta kalojmë me sukses”, tha ajo.

“Unë jam larguar vetë 16 vjeç jashtë vendit dhe u ktheva nën frikën e prindërve që duke mos pasur lidhje, nuk do të gjeja një vend në administratë”, theksoi Spiropali.

“Jam kthyer në 2006-n. E di ç’do të thotë të jesh një njeri që vlera jote të njihet. Shqipëria europiane hap rrugën dhe jep mundësi të rinjve që të shkollohen me tarifa të njëjta në BE, punën me të njëjta letra apo edhe pasjen e dinjitetit, mundësi që nuk duhet t’i lëmë të na ikin për teka e halle politike të një njeriut të vetëm, e një familje biologjike dhe politike që nuk po arrin të rinovohet”, tha ajo.

Gjithashtu, Spiropali ka zbuluar se socialistët po punojnë që më 11 maj të marrin 20 deputetë në qarkun e Tiranës.

Sa i përket rezultatit në rang kombëtar, Spiropali nuk ka preferuar të përmendë shifra, por u shpreh e bindur në arritjen e më shumë mandateve se në zgjedhjet e kaluara, ato të 25 prillit 2021.

“Kemi listën më përfaqësuese në Qarkun e Tiranës. Ndërsa lista e PD është një listë jo për fitore, por për menaxhimin e humbjes”, tha ajo.

“E pamundur të bësh parashikime sepse do kishte brenda edhe një arrogancë të pashmangshme nga siguria për votën. Nuk do të doja të shfaqesha para publikut si një njeri që dëshmon siguri absolute te vota. Por besoj që edhe në sondazhet më skeptike, nuk ka dyshime që PS do të marrë një shumicë edhe më të madhe se në zgjedhjet e kaluara. Objektivi për qarkun e Tiranës, minimalja është 19 mandate, pra një mandat më shumë se në zgjedhjet e fundit, por rezultati real për të cilin po punojmë është 20 mandate”, tha ajo.

Spiropali ka pasur një mesazh edhe për të rinjtë, sidomos ata që votojnë për herë të parë.

“Një mundësi historikë që votën e parë ta hedhin për Shqipërinë 2030 në BE. Ishte ëndrra dhe pamundësia jonë, ne nuk i kishim këto mundësi që kanë të rinjtë sot. Prisnim muaj të tërë për një vizë studimi”, tha ajo

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›