Berisha: SHBA duhet të fokusohet nga Azia. Ne, në krah të Amerikës kudo që të jetë e nevojshme
Kryeministri Berisha ka pritur gjatë ditës së sotme në një takim, ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, me të cilin ka diskutuar mbi strategjinë e re të mbrojtjes së SHBA-së.
Berisha e falënderoi ambasadorin Arvizu për këtë prezantim të Strategjisë së re të Mbrojtjes së SHBA, si dhe vlerësoi drejtimet në të cilat ajo zhvillohet. Kryeministri çmoi si më rëndësi për paqen dhe stabilitetin në botë, fokusimin më të madh të kësaj strategjie drejt Azisë, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.
Duke vlerësuar lart rolin e SHBA dhe NATO-s në Evropë, në zgjidhjen dhe stabilizimin e konflikteve në rajonin e Evropës Jug Lindore, në dy dekadat e fundit, ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbajtjes në të ardhmen të pranisë së SHBA dhe të NATO-s në Rajon, si një kusht i rëndësishëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik të këtij rajoni. Kryeministri ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet e saj, në kuadrin e NATO-s, si dhe përkrah aleatit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kudo që kjo të jetë e nevojshme, vijon më tej njoftimi.