Berisha: Sdo të ketë më fletë votimi, vetëm ekrane kompjuteri

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje në Parlament se jo vetëm nuk do të ketë hapje të kutive të votimit, por në zgjedhjet e ardhshme mazhoranca do ta ndryshojë Kodin Zgjedhor për të vendosur votimin elektronik ku nuk do të ketë fletë votimi, por vetëm ekrane kompjuteri. Fjala e Kryeministrit ka shkaktuar një ilaritet të madh nga ana e opozitës, e cila me gojën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka akuzuar kreun e qeverisë se kërkon të vjedhë edhe zgjedhjet e ardhshme.
Berisha-RuçiKryeministri Sali Berisha e ka marrë fjalën dje në seancën e Kuvendit, në kohën e diskutimeve të lira, menjëherë pas deputetit socialist, Fatmir Toçi, i cili ka akuzuar qeverinë se po grabit tokat e banorëve të zonës së Vlorës. Berisha, duke marrë fjalën ka rimarrë deklaratën e bërë një javë më parë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, sipas të cilit, shifrat e tremujorit të parë të 2010 flasin për një rritje ekonomike të Shqipërisë. Duke përforcuar Boden, Berisha tha se pikërisht për arsye të rritjes do të arrihet rritja e rrogave dhe pensioneve në fillim të korrikut. Kreu i qeverisë tha se gjatë vizitës së tij që ka zhvilluar në Kuvajt ka lobuar për financimin e rindërtimit të sheshit “Skënderbej” dhe financimin e boshtit të jugut. Kryeministri gjatë fjalës së tij ka shkëmbyer batuta në distancë me deputetët socialistë që i kërkonin arsyet për mungesën e tij në takimin e Pragës dhe përfundimin e rrugëve aktuale që kanë nisur. Por Berisha ka vazhduar më tej me kundërofensivë ndaj opozitës, duke i bërë të ditur se mazhoranca ka ndërmend të ndryshojë Kodin Zgjedhor. “Do t’ju nxjerr edhe juve nga kutia s’do ketë më as kuti as komisionerë, as fletë votimi. Keni frikë nga teknologjia mos u bëni prehistorikë, do të marrë fund gjyqi i shëmtuar që po u bëni 20 mijë komisionerëve politikë, s’ka më komisionarë, por gjurmë gishti, nuk do të ketë më kuti votimi, do ketë gjurmë elektronike. Ju ndryshoni statutet unë do ndryshoj procedurat e votimit”, deklaroi Berisha, i cili ka shtuar se me ndryshimin e statutit PS do të humbë disa zgjedhje njëra pas tjetrës. Menjëherë sapo ka përfunduar fjalën e tij, kreu i qeverisë, në podium është ngjitur numri dy i socialistëve shqiptarë, Gramoz Ruçi, i cili e ka akuzuar Kryeministrin se kërkon të vjedhë edhe votimet e ardhshme. Duke iu drejtuar Berishës, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, deklaroi se “ju z. kryeministër flisni këtu sikur nuk shihni apo dëgjoni ç’thotë opozita. Duke kundërshtuar shifrat e dhëna nga Kryeministri, Ruçi deklaroi se eksporti është në të njëjtin nivel siç ka qenë në vitin 2008, ndërsa importi produktiv ka rënë me 25%. Duke vënë gishtin në plagë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, ka përmendur më pas rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të ujit të pijshëm, të energjisë elektrike, të perimeve dhe frutave apo ushqimeve prioritare. “Ka shkuar 1500(të vjetra shën red) kilja e preshit zoti Kryeministër”, tha Ruçi. Duke iu përgjigjur Berishës për çështjen e procedurave të votimit, shefi i deputetëve socialistë tha se ju duhet të bëni transparencën e votave të vjedhura, sepse pa zgjidhje të krizës nuk ka zgjedhje të lira. Ju vodhët votat duke manipuluar regjistrin dhe kartat elektronike, tani kërkoni dhe vjedhjen me votim elektronik.
Topalli-BallaKryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka kërcënuar deputetin socialist, Taulant Balla, se do ta ndëshkojë administrativisht vetëm sepse Balla ka mbajtur një fjalim kritik ndaj qeverisë. Në fjalën e tij, deputeti socialist, tha se “Një proverb i vjetër latin shtronte pyetjen se “çfarë duhet të bëjë populli kur qeverisja ta pranojë hajdutllëkun si profesion?” Sot më shumë se kurrë, ky proverb i vjetër, ka nevojë për një përgjigje. Ka nevojë për një përgjigje, sepse për fat të keq në Shqipëri hajdutllëku është legalizuar si profesion, ndërsa kryehajduti i thotë vetes Kavalier. Sot kemi një qeveri që vjedh gjithçka.
Vjedh paratë e rrugëve të pambaruara dhe të tuneleve që shemben pa u hapur”. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, nuk ka vonuar ta kthejë në vepra kërcënimin e saj ndaj deputetit socialist Taulant Balla. Pas përfundimit të seancës është mbledhur Byroja e Kuvendit, institucion që përbëhet nga kryeparlamentarja, nënkryetari i Kuvendit dhe sekretarët kanë vendosur të përjashtojnë për dy javë nga punimet e parlamentit deputetin taulant Balla, me motivacionin për “fyerje dhe fjalë të padenja” si dhe kanë paralajmëuar deputetin Saimir Tahiri. Me përjashtimin nga seanca deputetit Balla i hiqet dhe gjysma e rrogës mujore e deputetit.
#