Obama e Medvedev: Më pak armë bërthamore në botë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje historike strategjike për çarmatimin bërthamor, duke deklaruar edhe se nevojitet ndërmarrja e sanksioneve të reja për t’i bërë presion Iranit që të heqë dorë nga ambicia e tij bërthamore.
Presidenti amerikan, Obama, dhe ai rus, Medvedev, e nënshkruan paktin në një ceremoni që u zhvillua në një kështjellë mesjetare në Pragë pas një viti bisedimesh dhe negociatash dypalëshe. Kjo marrëveshje do të reduktojë arsenalin strategjik bërthamor të krijuar gjatë viteve të Luftës së Ftohtë me 30% brenda 7 viteve të ardhshme. Sipas Obamës, kjo marrëveshje i ka dhënë fund “ngrirjes” së marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit dhe përçon një sinjal të fortë edhe për fuqitë e tjera bërthamore në lidhje me përpjekjet konkrete për çarmatim. “Ne po punojmë së bashku me Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të kaluar një rezolutë në lidhje me ndërmarrjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit dhe nuk do të tolerojmë veprime jashtë kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Obama në fjalën e tij. “Unë pres që këtë pranverë të sigurojmë sanksione të forta kundër Iranit”, ka vazhduar Presidenti. Nga ana e tij, Medvedev tha se i vinte keq që Teherani nuk kishte reaguar ndaj propozimeve konstruktive në lidhje me programin e tij bërthamor dhe se Këshilli i Sigurimit duhet që të merrte masa të reja e sanksione të reja, por ato duhet që të ishin sa më “të zgjuara”, në mënyrë që të mos prekeshin njerëzit e zakonshëm.
“Sot ne jemi shumë të hapur dhe të sinqertë në diskutimet tona për atë që duhet bërë dhe atë që nuk duhet bërë”, ka deklaruar Medvedev.
Ndërkaq, në këtë takim u diskutua edhe për ngjarjet e fundit në Kirgistan, ku protestat e opozitës kanë nxjerrë jashtë loje qeverinë dhe Presidentin e vendit. Ngjarjet në këtë vend janë të rëndësishme për të dyja palët, duke qenë se të dyja vendet kanë në Kirgistan baza të rëndësishme ushtarake dhe për Shtetet e Bashkuara baza e Manas është vitale për furnizimet në Afganistan. Putin e ka njohur ndërkohë qeverinë e përkohshme që ka marrë në dorë pushtetin në Afganistan të formuar nga liderja e opozitës, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk është prononcuar në lidhje me legjitimitetin e kësaj qeverie të re të sapovendosur pas revoltave të mëdha të dy ditëve më parë në kryeqytetin e vendit.
Për sa u përket të dy presidentëve, ata kishin kohë që shpresonin për firmosjen e një marrëveshjeje të tillë brenda këtij viti. Për sa i përket ShBA-së, traktati duhet që të miratohet edhe nga Senati amerikan, por Obama është i bindur që do ta fitojë mbështetjen e tij. Sipas analistëve, një marrëveshje e tillë do të ndihmojë Obamën që të bëjë më shumë presion ndaj Teheranit në takimin e Uashingtonit, ku do të marrin pjesë 47 vende.
#