Berisha: Së shpejti në Kuvend ligji për komunitetet fetare

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se qeveria do të ndihmojë fuqishëm komunitetet fetare dhe të gjitha institucionet e kultit në tërësi dhe kësaj fryme i shërben dhe ligji i ri që miratohet së shpejti në parlament. Me rastin e Festës së Sulltan Novruzit, Kryeministri Berisha vizitoi sot selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Duke uruar besimtarët bektashinj me rastin e kësaj feste, Kryeministri Berisha e konsideroi Ditën e Sulltan Novruzit "një ditë të shenjtë për të gjithë shqiptarët", pasi siç u shpreh ai "është dita e vëllazërimit, mirëkuptimit, tolerancës dhe besimit të madh tek Zoti".Kryeministri siguroi dhe angazhimin për të përfunduar së shpejti tempullin madhështor që po ngrihet në afërsi të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, që sipas tij "do të shërbejë si qendër e bektashizmit botëror, duke i bërë nder jo vetëm bektashinjve shqiptarë, por bektashinjve të mbarë planetit".