E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Së shpejti ulje drastike e çmimit të internetit

Kryeministri Berisha paralajmëroi se duke filluar nga muajt e ardhshëm do të ketë ulje të çmimit për shërbimin e internetit, ndërkohë që të gjitha institucionet do të kenë kabinete elektronike.

“Apel për të shtrirë në të gjitha institucionet e vendit kabinetet elektronike, për të reduktuar në mënyrën më të ndjeshme shpenzimet e panevojshme. Gjatë këtij viti ka qenë thelbësore motoja ‘Shqipëria në moshën digjitale’. Për sa i përket internetit, mbi 50 për qind e shqiptarëve e përdorin atë dhe gjatë viteve të ardhshëm do të kalojmë edhe mesataren evropiane”, u shpreh Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë u ndal edhe tek teknologjia 3G, fushë për të cilën po bëhen studime më të avancuara. Sipas tij, teknologjia 3G është dominuese sot pas lëshimit të licencës së parë.

Duke folur me tarifat celulare, kryeministri Berisha u shpreh se çmimet duhet të vazhdojnë të ulen. “Ka një rënie edhe në çmimet e sms edhe në thirrje, por jo aty ku duhet. Autoriteti i Kontrollit po ushtron kontrolle që të vendosen norma të pranueshme”, shtoi Berisha.

Përveç shtrirjes së internetit, kryeministri Berisha tha se po vazhdon edhe revolucioni fiskal, ku përmendi heqjen e taksës doganore për fasonistët, përgjysmimin e akcizës së pijeve, etj. /Start/

Kryeministri u shpreh se do të ketë edhe një taksë tjetër, atë mbi karburantin.

“Do ketë një taksë mbi karburantet, kjo për të mbrojtur mjedisin. Do mbrojmë shëndetin tonë, jetën tonë. Taksa e karbonit e tëra do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe ullishteve”, theksoi më tej kryeministri Berisha. /Start/

                                                                                             2011-07-13 13:16
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›