E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Selmani: Gjeni dialogun në Maqedoni

Qeveria shqiptare mbështet integritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë, në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe të gjithë rajonit. Kryeministri Berisha priti dje kryetarin e Partisë Demokracia e RE në Maqedoni, zotin Imer Selmani. Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, z. Imer Selmani i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë e tij për lajmin shumë të mirë për shqiptarët, vendimin e KE-së për liberalizimin e vizave, si dhe vlerësoi zhvillimet pozitive në rrugën e reformave në Shqipëri. Bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare në Maqedoni dhe forcave politike maqedonase, - nënvizoi Kryeministri Berisha, - është shumë i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje shumë pozitive dhe një dokument shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që sanksionon të drejtat e shqiptarëve. Kryeministri Berisha tha se mbetej i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoni, të cilat në interesin më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët të dialogut politik në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›