Gjykata e Lartë, PD, do të rrëzojë dy kandidaturat
Implikimi, PD, gati rrëzimi i Muçmatës dhe Çomos
Mazhoranca qeverisëse paralajmëron rrëzimin e dy prej kandidaturave të zgjedhura nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ashtu si në rastin e Vangjel Kostës për Gjykatën Kushtetuese, demokratët e konsiderojnë vendim politik edhe atë për dy emrat e Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmata dhe Sokol Çomo.
Në këtë mënyrë PD-ja synon mbajtjen larg drejtësisë të personave me integritet të cenuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, si kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha shprehu shqetësimin se dy nga tre dekretet e kreut të shtetit rezultojnë të jenë të implikuar me regjimin komunist, të cilët përmes vendimeve gjyqësore kanë burgosur njerëz të pafajshëm. E vetmja gjë që i kërkuam kreut të shtetit, - është shprehur Berisha, - ishte fakti që mos të dekretonte emra të lidhur me regjimin komunist, gjë e cila, sipas tij, nuk u zbatua. Burime brenda grupit bëjnë të ditur se z. Berisha nuk ka përmendur emra konkretë, por ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për emrat e Vexhi Muçmatës dhe Sokol Çomos. Mësohet se Kryeministri u ka vënë në dukje deputetëve të djathtë që tu bejnë verifikim të plotë secilës nga kandidaturat në komisionet parlamentare. Berisha ka lënë të hapur dhe mundësinë e një votimi të hapur në momentin që tre kandidaturat do të votohen në Parlament. Para pak ditësh, mazhoranca qeverisëse bëri të qartë se nuk do tu lejojë pushtet njerëzve të implikuar me regjimin komunist, të cilët kanë dhënë vendime për burgosjen dhe pushkatimin e njerëzve të pafajshëm. Për demokratët, kjo është e papranueshme, duke sqaruar se rrëzimi i Vangjel Kostës, i propozuar nga Topi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ishte një vendim politik dhe lidhej me të kaluarën e tij në kohën e diktaturës. Kjo është kundërpërgjigjja që PD bëri përmes kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozi, ndaj akuzave të socialistëve për rrëzimin e njërës prej kandidaturave të Presidentit Bamir Topi, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për ish-prokurorin e kohës së diktaturës, Vangjel Kosta, i cili ka dhënë 15 vendime, përmes të cilave ka burgosur shtetas të pafajshëm me akuza nga më të ndryshmet. Në këtë mënyrë, Patozi iu përgjigj edhe shqetësimit të kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, lidhur me votimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Së pari, - tha Patozi, - nuk besoj se është ndonjë gjë e re për publikun po të them se votimi në këtë rast ka qenë politik, siç janë të tilla vendimet që merren në të gjitha parlamentet demokratike të botës. Së dyti, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike. Dhe me këtë, ajo ka parasysh të gjithë personat, që në karrierën e tyre gjatë diktaturës kanë marrë pjesë në procese politike, si dhe ata të tjerët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 vjetëve të fundit, - deklaroi Astrit Patozi. Duke iu referuar rastit të zotit Kosta, kreu i deputetëve demokratë bëri të qartë se Vangjel Kosta bën pjesë qartësisht në grupin e parë të kandidaturave politike dhe për këtë shkak u rrëzua. Ne, - tha ai, - kemi votuar fshehur, se kështu e parashikon Kushtetuta, por e deklarojmë hapur arsyen politike të votës kundër. Patozi evidentoi në mënyrë të qartë se ky standard është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për mazhorancën.
Topi firmosi për Becin, Çomon dhe Muçmatën
Presidenti Bamir Topi dekretoi para pak ditësh tre emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku mes kandidatëve spikat Medi Beci, të cilin Topi e ripropozon pavarësisht rrëzimit në Kuvend nga mazhornaca e djathtë dy vjet më parë. Sipas njoftimit të Presidencës, Vexhi Muçmata, Sokol Çomo dhe Medi Bici janë tre kandidatët që kreu i shtetit i propozon Parlamentit për miratim.
Gjykata e Lartë, Topi dekret edhe për një anëtar
Për anëtarë të Gjykatës së Lartë mbetet dhe një vend vakant, që kërkon një emër nga Presidenti. Para disa ditësh Topi dekretoi tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, prej të cilëve Kuvendi rrëzoi vetëm një, Vangjel Kostën. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes tre emërimeve të reja në Gjykatën Kushtetuese, emëroi ish-avokatin e PS-së, Vangjel Kosta dhe riktheu për votim gjyqtaren Altina Xhoxhaj, të cilën PD-ja e rrëzoi dy vjet më parë në Kuvend, pasi ishte një nga 5 kandidaturat e Topit për anëtare të Gjykatës së Lartë. Kundrejt dy kandidaturave të tjera, mazhoranca e djathtë rrëzoi me votë në Kuvend kandidaturën e Kostës, ndërkohë që media publikoi fakte konkrete të implikimit të tij me regjimin komunist, i cili përmes vendimeve gjyqësore kishte burgosur jetë të pafajshme.