Berisha: Sheshi Skënderbej u lulëzua, Blushi: E keni hipur Skënderbeun mbi një lopë
Kryeministri Sali Berisha ka thënë në Kuvend se sheshi Skënderbej, projekti i rehabilitimit të të cilit u pezullua nga kryetari i bashkisë Lulzim Basha, është lulëzuar e gjelbëruar. Duke replikuar me deputetin e PS-së Ben Blushi, kryeministri Berisha akuzoi se opozita po vjell vrer mbi buxhetin sepse ka inat zhvillimin. Po ju citoj disa rreshta te nje shkrimtari. Kravaten time me te mire do ia lidh kalit te pare qe do me dale para. Po villni vrer ndaj buxhetit. Ju sjell këtu Tiranën. Qytetarëve të Tiranës u kushtoi 5 mijë dollarë një pemë me qeverisjen tuaj vendore. Mblidhnit taksën e gjelbërimit, por nuk thoni dot pyllëzuam Tiranën, këtë se thoni dot. Shko shikoje sheshin, mori drejtimin e zhvillimit jeshil. Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Shihni more. A e kuptoni se çfarë ishte piramida apo jo? Piramida nuk ndërtojmë më. Nuk bëjmë kurbane e rite të vdekjes. Ne kemi ritin e jetës. Atëherë më sulmuat kur fola për Harry Poter po tani që ju mbiu Kurbani tek dera e partisë? E merrni me detyrim dhe e lexoni me detyrim librin. Ja pra që ju mbiu Kurbani juve, tha Berisha.
Deputeti Blushi reagoi ndaj kësaj deklarate duke replikuar me kreun e qeverisë me të njëjtën batutë me të cilën e nisi ai fjalimin. Kollares po i vure llastik e var ku të duash. Po flet për taksat, por si ka mundësi, vetëm dyqani i Saliut nuk taksohet. Ai sheshi është bërë mirë se më jep mundësi të shkoj pesë minuta më shpejt në shtëpi, por a mund të ma thotë njeri si të shkoj më tek monumenti. E keni hipur Skëndërbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë. Kjo nuk është për të qeshur. Po pati mundësi Saliu të shkojë tek monumenti pa hequr këpucën jam gati ta ndjek dhe unë , tha Blushi duke iu përgjigjur në të njëjtën monedhë shefit të qeverisë.