Berisha: Shqipëria ka më pak azilkërkues se vendet e rajonit – penalitete kush abuzon me vizat

Zhvillon punimet në Tiranë sesioni i parë i Ministerialit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Komisionerja për Çështjet e Brendshme Malstromm: “S’ka asnjë vendim nga BE për rikthimin e regjimit të vizave”
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo hap në mënyrë që t’i jepet përgjigja e duhur fenomenit të azilkërkuesve.
Gjatë sesionit të parë të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe BE-së, kreu i qeverisë i përcolli Komisionit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të bllokut 27 anëtarësh, garancinë e ekzekutivit shqiptar për ashpërsimin e penaliteteve kush abuzon me liberalizimin e vizave në vendet e “Schengen”-it. Edhe pse, sikundër solli në vëmendje kryeministri Berisha, Shqipëria nuk është ndër vendet problematike siç janë Serbia dhe Maqedonia, të cilat kanë një numër të lartë azilkërkuesish, por gjithsesi fenomeni është shqetësim serioz. “Shfrytëzoj rastin t’i përcjell Komisionit Evropian, përmes Komisioneres Malmstrom dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, nëpërmjet Presidentes qipriote, vendosmërinë tonë për të ndërmarrë çdo hap dhe për t’i dhënë përgjigjen më të vendosur këtij fenomeni. Duhet të jemi realist se vendimi i KE për heqjen e përkohshme të vizave shton shumë përgjegjësinë tonë para vendeve anëtare të zonës së “Schengen”-it. Vendimi fisnik i Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian për heqjen e përkohshme të vizave për qytetarët tanë, përbën arritjen më të madhe historike të shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera të rajonit në udhëtimin e tyre drejt BE. Siç dëshmojnë të dhënat e vendeve të zonës së “Schengen”-it ky vendim ka pasur si efekt të padëshirueshëm rritjen e azilkërkuesve në këto vende. Ndonëse ky numër, nga Shqipëria, ka qenë më i kufizuari, përsëri kjo përbën një shqetësim shumë serioz për ne dhe e marrim atë seriozisht”- u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria do të bëjë një luftë më të ashpër për të penalizuar azilkërkuesit, ndërsa informoi se pala shqiptare do nënshkruajë çdo marrëveshje për rikthimin e shpejtë në vend të personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. “Jemi të gatshëm të firmosim çdo marrëveshje për rikthimin në vend të personave që abuzojnë me këtë vendim shumë të rëndësishëm dhe fisnik. Mbi bazën e këtij qëndrimi kemi kthyer nga Mbretëria e Belgjikës dy herë grupe shqiptarësh që kishin aplikuar në mënyrë të pamerituar për azil politik. Po përgatitemi ta bëjmë me Dukatin e Luksemburgut dhe jemi të gatshëm ta bëjmë me çdo vend të zonës “Schengen”. I vetëdijshëm për vështirësitë që krijon rritja e fluksit të azilkëruesve, mendoj se së bashku duhet të mendojmë për kuadrin më të mirë ligjor që t’i japim përgjigjen më të shpejtë dhe më të mirë këtij fenomeni”, theksoi Berisha. Kryeministri deklaroi se “është në interesin më të mirë dhe në detyrim të qeverive të vendeve të origjinës që të marrin masat më efiçente si në parandalimin me anë të një fushate të vazhdueshme informacioni, por dhe rikthimin më të shpejtë të tyre”. Berisha u shpreh kundër dënimeve kolektive, duke theksuar se çdo shtet duhet të ndërmarrë masat efiçente që çojnë drejt neutralizimit të fluksit të azilantëve. “I vetëdijshëm për vështirësitë që krijon rritja e fluksit të azilkërkuesve, unë mendoj se, së bashku, duhet të punojmë për kuadrin më të mirë ligjor, që t’i japë përgjigjen më të shpejtë e më të vendosur këtij fenomeni. Sikundër jam i bindur se, para se të konsiderohet masa që të ndëshkojmë një popull të tërë për një grup të caktuar do të ishte shumë më e goditur, përqendrimi në këto masa në mënyrë që të neutralizoheshin pasojat e fluksit të azilkërkuesve në vendet anëtare të zonës së “Schengenit””- tha ai.
Ministeriali i Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku marrin pjesë shtetet e Maqedonisë, Bosnjes, Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, zhvillon punimet dy ditore në Tiranë (5-6 nëntor), nën kujdesin e BE-së, kryesimin e së cilës këtë herë e mban Qipro. Nga autoritetet e BE-së merr pjesë znj. Cecilia Malmstrom, Komisonerja për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme të BE, e cila gjithashtu përshëndeti Ministerialin.