E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike.

Në një deklaratë për mediet nga selia e PD, Berisha tha se, “qëndrimi i PD është shteti ligjor, shteti ligjor dhe mbi të gjitha, shteti ligjor. Për PD shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Është kushti i të gjitha kushteve për realizimin me sukses të të gjithë programit të saj.

Në këtë kontekst, Berisha u shpreh se, “unë besoj fort tek shqiptarët, se një prokurori që arreston tre liderët politikë, të tri partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera”.

Berisha theksoi se, “asnjë diskutim nuk ka që Shqipëria do të ketë prokurorinë më serioze në raport me ligjin, por Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike”.

“Jo! Shqipëria ka patur një Prokurori të Krimeve të Rënda e cila ka vendosur para ligjit 1050 anëtarë të 204 organizatave dhe grupeve kriminale; një prokurori në të cilën mandatet e arrestit nuk shiteshin në avancë, por ekzekutoheshin në 95% të tyre, një prokurori e cila kishte kërkuar nga gjykata në shumë raste dënime për jetë dhe ishin dhënë dënime të tilla, që i liroi Edi Rama”, tha kreu i PD.

“Ata që duan të mendojnë se vërejtjet e mia për “Skrapin e Partisë” kanë të bëjnë me jo, jo, kanë të bëjnë pikërisht për një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin”, u shpreh Berisha.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›