Berisha: Shqipëria, me vdekshmërinë foshnjore njëshifrore
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se vdekshmëria foshnjore në vend është ulur ndjeshëm duke e renditur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka theksuar se treguesit e çertifikuar nga institucionet ndërkombëtare theksojnë se vdekshmëria foshnjore ka një tregues njëshifror.
“Për herë të parë në historinë e vet, vendi në këta tregues themelor të jetës së një shoqërie renditet në vendet me vdekshmërinë foshnjore një shifror. Shqipëria për fatin e keq të saj ka pasur nivele afrikane të vdekshmërinë foshnjore. Shqipëria e sotme ka një mortalitet infantil një shifror dhe kjo është një arritje historike për vendin dhe kombin” ka theksuar Berisha.
Sipas kryeministrit kjo arritje është rezultat i zhvillimit të gjithanshëm si dhe dëshmi e një sistemi të kujdesit shëndetësor efikas.
“Nuk mund të pretendohet se çdo gjë në këtë arritje është atribut i bluzave të bardha por pa rolin e tyre thelbësor kjo arritje do të ishte e pamundur. Ato meritojnë përgëzimet më të mëdha, me besimin se ky është vetëm një stacion dhe se do vazhdojnë betejën për të ulur gjithnjë e më shumë këtë indeks e për të mbrojtur çdo fëmijë” shtoi Berisha.
Sipas tij, treguesit e vdekshmërisë në total janë të kënaqshem, që dëshmojnë për rritje të jetëgjatësisë. Ai ka theksuar se shpërndarja e shërbimit shëndetësor është e shkëlqyer, që ka bërë evitimin e radhëve për të interesuarit, ndërkohë që shumë vende të zhvilluara e vuajnë këtë problem.
“Në këtë listë janë së paku 40 vende me të ardhura më të larta se Shqipëria për fryme, por fytyra e njerëzisë se kësaj qeveria ka bërë që të garantohen, të hapen mirë dyert për shërbimin shëndetësor, që nuk them se është i përsosur, por i hapur për çdo qytetar” theksoi Berisha ndërsa ka kërkuar gjithashtu të bëhen studime për gjetjen e shkaqeve të vdekshmërisë tek fëmijët për të bërë të mundur edhe prandalimin e tyre.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria renditet në vendin e tretë për sa i përket aksesit në shërbim shëndetësor më të lehtë se të gjitha vendeve të tjera duke pasur vetëm 2 vende përpara. Sipas tij është me rëndësi që të ruhet ky tregues pozitiv dhe të investohet në institucione rajonale, në laboratore dhe në çdo tjetër që do të bënte që Shqipëria të ruajë këtë indeks.
“Ka edhe një seri treguesish të tjerë dhe siguroj që këto tregues veçse frymëzojnë për të lancuar më tej punën e një grupi të gjërë mjekësh dhe infermierësh që kanë kualifikimet më të larta, që realizojnë ndërhyrje më të vështira, që disponojnë mjete më modernet por që kanë shumë për të bërë në mënyrë që të ngrejnë çdo sektor në lartësinë e kohës” ka shtuar më tej Berisha.