Ligjet shqyrtojnë kandidaturën e Cefës, PS propozon Ardian Vishën

Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e kandidaturës së Elvis Cefës, si anëtar të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e sotme të komisionit deputetët e PS-së në komision kanë kërkuar shtyrjen e seancës dëgjimore për Cefën me arsyetimin se dosja e tij ka mangësi në dokumentacion por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga mazhoranca.
Sipas opozitës kërkesa për Cefën si anëtar i ri i KLD-së është dorëzuar në Kuvend para pak kohe dhe duhet kohë që ajo të marrë rrugën proceduriale.
“Në dosje janë vetëm 4 fletë dhe ajo është e paplotë për kriteret ligjore ndërsa grupi i firmëtareve të PD-së duhet të vijë në Komisionin e Ligjeve për të argumentuar propozimin” kanë theksuar deputetët e PS-së në komision.
Cefa, aktualisht kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është propozuar nga 30 deputetë demokrat pas dorëheqjes dhe shkarkimit nga mazhoranca të Kreshnik Spahiut, i cili mbante edhe postin e numrit dy të këtij institucioni.
Ndërkohë deputetët e PS-së në komisionin e ligjeve kanë propozuar avokatin Ardian Visha si anëtar i ri i KLD-së.