Berisha: “Shqiptarët të punojnë çdo orë e çdo minutë për bashkimin e tyre”
Manifestim i jashtëzakonshëm i shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup, për 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Thirrjet “Shqipëri etnike” u dëgjuan në të gjithë qytetin, kur fjalën e mori Sali Berisha, ai që konferencieri e thirri si “kryeministri i shqiptarëve”
Entuziazëm i jashtëzakonshëm dje në Shkup në manifestimet e organizuara për 100 vjetorin e pavarësisë. Qytetarë të ardhur nga trevat shqipfolëse të Maqedonisë, jo vetëm i rikthyen ngjyrat kuq e zi qytetit me simbolet kombëtar, por njëherazi bënë që të dominonte atmosfera festive në të gjithë kryeqytetin maqedonas.
Manifestimi i shqiptarëve të Maqedonisë nisi me një koncert madhështor në pallatin e sportit “Boris Trajkovski” me këngë nga të gjitha trevat e vendit, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Kosovës dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Kryeministri Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kreu i LSI-së, Ilir Meta, Zëvendëskryeministrat e Kosovës, Hajredin Kuçi e Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri përkujtuan veprën e atdhetarëve për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.
Më shumë se 15 mijë qytetarë të ardhur nga të gjitha qytetet shqiptare të Maqedonisë, mbushën pallatin e sportit “Boris Trajkovski” dhe shijuan e përjetuan emocionet e kësaj feste madhështore, në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Pas Shkupit festimet zhvendosen drejt Kosovës, atje ku siç u shpreh kryeministri Berisha, kremtimet janë plotësisht të merituara, pasi pa pavarësinë e Kosovës, sot shqiptarët s’do ishin të lirë.
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka uruar nga Shkupi, shqiptarët kudo që ndodhen për këtë përvjetor jubilar të Pavarësisë. Kreu i qeverisë shqiptare në fjalën e tij në manifestimin e madh të organizuar në kryeqendrën e shqiptarëve, siç e quajti ai Shkupi, i mëshoi me forcë faktit se “sot shqiptarët festojnë bashkë, Shkupi, Prishtina e Tirana festojnë bashkë 100 vjetorin e Pavarësisë”.
“Sonte jemi këtu me Kryeministrin e Kosovës, të ftuar nga Ali Ahmeti, për të festuar së bashku 100 vjetorin e Pavarësisë, por festa e Kombit nuk mund të fillonte askund më parë se këtu në Shkup, në mendjet dhe zemrat tuaja. Përulem para jush me nderimin më të madh, para qytetarëve të këtij qyteti, që në shekuj rrezatuan dritë për kombin në të gjitha trojet etnike. Shkupi në shekuj ishte jo vetëm epiqendra e Dardanisë, por edhe epiqendra e kombit dhe lëvizjeve të tij, ndaj dhe sot shqiptarët kudo që janë shprehin mirënjohjen më të thellë, për baballarët e paraardhësit tuaj”, tha Berisha.
Njëkohësisht, në këtë frymë, kreu i qeverisë shqiptare kërkoi nga të gjithë shqiptarët që të ecin përpara për t’u bashkuar në Evropë, për të bërë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan gjatë një shekulli, për liri dhe dinjitet kombëtar.
“Ky 100 vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë për të bërë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan gjatë një shekulli për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo ëndërr në të vërtetë 1000 herë po ta lexosh, është ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Këtu nga Shkupi dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve. Të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre. Ky është 100 vjetori i besimit tonë, i zotimit tonë, i vizionit tonë Europian, i vizionit tonë të bashkimit kombëtar për të bëre realitet ëndrrën e martirëve të këtij kombi”, theksoi kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit shqiptar i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti të punojnë për projektin evropian të shqiptarëve.
“Shqiptarët presin nga ne që në projektin tonë evropian si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën le të përqendrojmë ne të gjithë energjitë tona”, tha kryeministri.
Ai u bëri apel vendeve fqinje të mos irritohen nga përpjekjet e shqiptarëve, për bashkim kombëtar, ndërsa solli në vëmendje se nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Europës, pasi bazohet në respekt.
“U bëj thirrje fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve do të bëheni më të lirë, më të drejtë dhe shqiptarët janë të gatshme për një bashkëpunim miqësor, afatgjatë, shekullor. Shqiptarët e lirë do të jenë forcë kryesore zhvillimi për veten e tyre dhe rajonin. Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Evropës, është nacionalizëm i bashkuar në kulturën ndër më të vjetrat e kontinentit, në gjuhën ndër më të bukurat e Evropës, nacionalizëm i bazuar në respektin e palëkundur të bindjeve dhe besimeve fetare të njëri-tjetrit. Askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi. Askush nuk duhet të harrojë se, shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar si një komb që padrejtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen. Ndërtimi i të ardhmes së shqiptarëve është zhvillimi më pozitiv, më paqësor, më i rëndësishëm për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët”, deklaroi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje dhe nderim për arkitektët e pavarësisë nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri te Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina. “Në këtë 100 vjetor, nderi i parë i takon flamurit të Skënderbeut, flamurit kombëtar, flamurit që frymëzoi qindra e mijëra shqiptarë të flijojnë jetën e tyre për liri, dinjitet kombëtar, flamurin që në çdo qelizë të tij mban shpirtrat, zemrat e martirëve të kombit tonë. Nderi i madh sonte i takon Ismail Qemalit, burrit të madh vizionar të kombit, u takon Mehmet Terallës, Zydih Ohrit, Nuri Sojlit, Myrteza Strugës, burrave të trojeve shqiptare të Maqedonisë, që me dorën e tyre të artë firmosën Aktin e Pavarësisë, në emër tuaj, në emër të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Nderi sonte i takon arkitektit të madh, arkitektit gjenial të Shqipërisë etnike, arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës dhe atdhetarëve të tjerë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, që tronditët Evropën dhe botën dhe bënë që shqiptarët të mund të shpallin pavarësinë”, theksoi kryeministri Berisha.
Pas Shkupit, festa zhvendoset drejt Kosovës. Sot, tha kryeministri Berisha, liria e shqiptarëve është një dhe e pandarë- ndërsa vlerësoi se pa Kosovën e lirë, shqiptarët nuk do ishin të lirë.
“Festa nga Shkupi shkon në Kosovë në një mirënjohje të pakufishme, sepse pa Kosovën e lirë, pa gjakun e luftëtarëve të saj, shqiptarët nuk do ishin të lirë. Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Nga Kosova kështu siç jemi, kthehemi në Tiranë dhe në Vlorë. Ky është 100 vjetori i besimit tonë, zotimit, vizionit tonë Evropian, vizionit tonë të bashkimit kombëtar, për të bërë realitet ëndrrën e martirëve të këtij kombit. Zoti e bekoftë lirinë e shqiptarëve!”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi
“Tirana, Shkupi e Prishtina jemi një”
Pas koncertit festiv të ideuar nga organizatorët e këtij manifestimi, u mbajt një minutë heshtje për të gjithë dëshmorët që luftuan dhe punuan për pavarësinë e kombit.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri solli në kujtesë rrugën e vështirë për shqiptarët deri në pavarësinë e kombit.
“Tirana, Shkupi e Prishtina jemi një, si në çdo kohë që na ka kërkuar nevoja. Do të vazhdojmë të punojmë pa ndërprerje për të përafruar dhe bashkuar vendet tonë në aleancën evropiane. Së bashku do të kalojmë të gjitha sfidat. Gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë”, u shpreh Xhaferri.
Berisha, Thaçi dhe Ahmeti nderojnë Hasan Prishtinën
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta pas koncertit festiv, vendosën kurora me lule para përmendores së Hasan Prishtinës, në nderim të rolit e kontributit të madh të kësaj figure madhore të historisë kombëtare. Kryeministrat Berisha dhe Thaçi para përmendores së Hasan Prishtinës u pritën nga mijëra qytetarë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
“Shqiptarët festojnë sot kudo të lirë”
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duke marrë fjalën në aktivitetin e organizuar në Shkup për 100 vjetorin e pavarësisë, shprehu vlerësime dhe mirënjohje për të gjithë luftëtarët e UÇK-së për kontributin e tyre që shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë të jenë të lirë. Për Thaçin, ky 100-vjetor i gjen shqiptarët me dy shtete në rajon, si askush tjetër.
“Sot shënojmë 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më lejoni që në fillim të përkujtojmë në fillim bashkëudhëtarët dhe luftëtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoni. Jemi sonte në Shkup në vilajetin e Kosovës dhe secili prej nesh duhet të mendojmë të kujtojmë ku ishim para13 vitesh më parë. Ndodhi mrekullia që lindi prej vullnetit të shqiptarëve, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arriti ta largojë Serbinë nga Kosova, ndaj ajo është e lirë dhe sovrane. Mrekullia UÇK është një mrekulli e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës, por ajo u fuqizua nga mbështetja e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, Maqedoni, diasporë, Shqipëri. UÇK bashkoi shqiptarët”, vlerësoi Thaçi.
Sipas tij, në këtë ditë të shënuar shqiptarët sot festojnë kudo kuqezi të lirë. Duke iu drejtuar kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, Thaçi tha se Kosova do jetë gardiani i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, pasi edhe ata e kanë ndihmuar Kosovën për të qenë e lirë.